Ndërlidhjet

logo-print

Prishtinë: Janë sulmuar zyrat e LDK-së në Kodrën e Trimave


Zyrat e Lidhjes Demokartike të Kosovës në lagjen Kodra e Trimave në Prishtinë, janë sulmuar me gurë, me ç’rast janë thyer disa dritare, ka konfirmuar për Radion e Evropa e Lirë, Halim Halimi, nënkryetar i degës së LDK-së në këtë lagje.

“Si kryesi e Degës së parë të LDK-së e dënojmë këtë akt , i cili është bërë nga persona të papërgjegjshëm”, tha Halimi dhe ka shtuar se “është akt vandal i dënueshëm, ngase nuk është në natyrën e anëtarëve të LDK-së bërja e akteve të tilla të papërgjegjshme”.

Sipas tij, ka dyshime se sulmi është kryer sot herët në mëngjes.

Mëtutje, zoti Halimi thekson se sulmi në zyrat e LDK-së mund të jetë për shkak të zhvillimeve të fundit politike dhe arritjes së koalicionit ndërmjet LDK-së dhe PDK-së.

“Ma merr mendja se kjo është pasojë e këtyre vendimeve politike, ka njerëz të pakënaqur, por pakënaqësia duhet të paraqitet dhe të bëhet në forma legale e jo me akte vandale”, tha Halimi.

Ai shprehet se Dega e parë i mbështet vendimet e shumicës në parti.

Policia ka zhvilluar hetime në vendin e sulmit ndaj zyrave të LDK-së.

XS
SM
MD
LG