Ndërlidhjet

Edhe 15 vite pas përfundimit të luftës harta sociale nuk ka ndryshuar shumë. Shkalla e papunësisë dhe varfërisë vazhdon të mbetet e lartë, përderisa vitin tjetër është periudha kohore kur Republika e Kosovës duhet të përmbush objektivat për Zhvillim të Mijëvjeçarit, që kanë për qëllim ta ulin dukshëm varfërinë globale.

Sipas statistikave zyrtare thuhet se varfëria e përgjithshme në Kosovë, ka arritur afër 30 për qind, kurse varfëria ekstreme mbi 10 përqind.

Përgjegjës për qytetarët të cilët nuk janë në gjendje për të gjetur ndonjë vend pune dhe duhet përfshirë në sistemin e mirëqenies sociale, është Departamenti i Mirëqenies Sociale që funksionon në kudër të Ministrisë se Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Udhëheqësi i Divizionit të Ndihmave Sociale në kuadër të këtij Departamenti, Fehmi Ibrahimi, për Radion Evropa e Lirë, thotë se janë mbi 29 mijë familje me mbi 120 mijë anëtar që janë të përfshirë në asistencën sociale.

Varësisht nga numri i anëtarëve të familjes dhe kushtet ekonomike të tyre shuma e mjeteve që këto familje marrin është prej 40 deri në 120 euro në muaj.

“Shuma mujore e ndihmës sociale përcaktohet në bazë të numrit të anëtarëve të familjes dhe shportës se ushqimit. Minimumi për një anëtar të familjes është 40 euro kurse maksimumi nëse një familje ka deri në 15 anëtar të familjes, mund të realizojë deri në 120 euro në muaj”, tha Ibrahimi.

Sidoqoftë, jo të gjitha familjet në nevojë janë të përfshirë në asistencën sociale. Në qendër të Prishtinës, konkretisht në barakat e kompleksit të Universitetit të Prishtinës, rreth katër dekada jetojnë mbi 15 familje. Një nga to është familja dy anëtarësh e Jeton Presreshës.

Jetoni 33 vjeçar, i papunë,se bashku më babin e tij, jeton në një dhomë të këtij objekti.

Ai edhe pse nuk punon , thotë se nuk merr ndihmë sociale.

“Jo, jo nuk marrim ndihmë sociale. Është shumë vështirë të jetohet këtu sepse duhet të paguhen edhe faturat e energjisë por edhe duhet më ble dru për ngrohje. Por është vështirë të ngrohet pasi objekti është i vjetër muret e së të cilit janë plasaritur gjithkund”, tregon Jetoni .

Sidoqoftë, përmes një rezolute në vitin 2008, ligjvënësit kosovarë kanë miratuar Deklaratën e Mijëvjeçarit të Kombeve të Bashkuara, që deri në vitin 2015 do t'i përmbushin tetë objektivat e kësaj deklarate përfshirë edhe varfërinë.

Por, tashmë pas gjashtë vitesh autoritetet kompetente pohojnë se një proces i tillë nuk mund të përmbushet. Fehmi Ibrahimi, Nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, thekson se situata aktuale dhe buxheti i ndarë për këtë kategori nuk siguron përmbushjen e objektivave

Duke marrë parasysh gjendjen ekonomike, politike dhe faktorët të tjerë autoritetet kompetente nuk do të arrijnë të përmbushin zotimin për zbutjen e varfërisë në vend, thonë edhe sociologët.

Fadil Maloku, profesor në Departamentin e Sociologjisë në Fakultetin Filozfik, për Radion Evropa e Lirë, tha se zyrtarë qeveritar nuk kanë treguar gatishmëri dhe seriozitet karshi zotimeve të bëra.

“Duke parë Kosovën në këto tri rrafshe në tri ngecje e sipër, unë konsideroi se shumë vështirë apo mos thënë fare, nuk do të ketë mundësi të përmbushën objektivat të cilat i ka përpara“, thekson Maloku

Deklarata e Mijëvjeçarit është nënshkruar në vitin 2000 nga vendet anëtare të Kombeve të Bashkuara dhe ka përcaktuar 8 qëllime, 18 plane dhe 48 indikatorë, për të matur progresin deri në vitin 2015.

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG