Ndërlidhjet

Punësimi pa baza meritore në sektorin publik është një shqetësim tjetër i qytetarëve të Kosovës.

Rezultatet e fundit të Programit për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara (UNDP),tregojnë se 79 për qind e qytetarëve besojnë se punësimi në sektorin publik bëhet përmes lidhjeve familjare, partiake si dhe ryshfetit.

Derisa, vetëm 13 për qind e qytetarëve të anketuar janë shprehur se arsimi, përvoja dhe aftësitë profesionale janë të rëndësishme për të gjetur punë në sektorin publik.

Edhe qytetarë të anketuar nga Radio Evropa e Lirë thonë se punësimi në sektorin publik është mjaft i vështirë dhe se në të shumtën e rasteve apo çdo herë, punësimi bëhet përmes lidhjeve familjare.

Artan Sylejmani, 36 vjeç vjen nga qyteti i Suharekës. Ai shprehet i bindur se nuk mund të punësohesh në institucione të Kosovës pa pasur lidhje familjare.

Ai tregon se me këtë ishte ballafaquar edhe vet kur ka aplikuar në konkurset që ishin hapur në institucionet publike në Kosovë.

“Në kohën në të cilën po jetojmë çdo kund ku shkon të aplikosh për punë kërkohet të kesh njoftësi, të kesh lidhje familjare, në të kundërtën nuk mund të punësohesh. Pasuria më e madhe sot është të kesh njerëz të afërt që punojnë në pozita udhëheqëse në institucione, pasi që me ndihmën e tyre mund të punësohesh. Nuk vlen profesionalizmi apo shkollimi”, thekson ai.

Ligji për Shërbimin Civil cakton parimet për punësim. Në bazë të këtij ligji, pranimi në Shërbimin Civil mbështetet në parimet e meritës, me shpallje publike të pozitave të lira, me transparencë të procesit, me objektivitet dhe paanësi të komisionit testues, mos diskriminim të kandidatëve.

Sidoqoftë, ky ligj sipas përfaqësuesve të Federatës se Administratës Publike të Kosovës, federatë kjo që funksionon në kuadër të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, është shkelur qindra herë.

Ndue Kalaja, kryetar i kësaj Federate, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë thekson se mendimet e qytetarëve rreth punësimit përmes lidhjeve familjare dhe partiake kanë bazë faktike.

“Për fat të keq administrata publike e Kosovës duke filluar nga niveli lokal dhe ai qendror është e politizuar dhe ky politizim dhe ky punësim i njerëzve nuk vjen në baza profesionale e as aftësive, por pikërisht punësimi behët në baza partiake, pastaj në baza familjare dhe interesa të ndryshme”, shton ai.

Për më keq, thekson Kalaja ky punësim në këtë formë ka shkaktuar dëme të mëdha në administratën publike.

“Në administratën publike të Kosovës është një përqindje bukur e njerëzve që nuk e kanë kualifikimin adekuate ose nuk e kanë përvojën dhe aftësinë për punën që e bëjnë".

"E gjithë kjo ka bërë që në Administrata Publike të mos ketë profesionalizëm. Është një numër i madh i njerëzve të punësuar në administratë që është i tepërt. Ne nuk jemi për t’i larguar, por kemi kërkuar që për secili person duhet të vendoset në vendin e caktuar”, thekson ai.

Ndryshe, Kosova ballafaqohet me shkallë të lartë të papunësisë. Nga 1.2 milion forcë punëtore, Kosova ka të punësuar vetëm 300 mijë sosh, pjesa e mbetur janë ose të papunë ose jo aktivë.

Këto norma alarmante të papunësisë prekin sidomos popullsinë e re të Kosovës.

  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG