Ndërlidhjet

SHBA: Obama kërkon qetësi në Ferguson


Pamje nga protesta në Ferguson

Pamje nga protesta në Ferguson

Presidenti amerikan, Barack Obama, ka kërkuar nga demonstruesit në lagjen Ferguson të qytetit Sent Luis, që të protestojnë në mënyrë paqësore, derisa pritet vendimi i jurisë së madhe për çështjen e qitjes fatale me armë të një polici, me ç’rast u vra një i ri zezak.

Babai i viktimës, aktivistët për të drejtat civile dhe prokurori i përgjithshëm amerikan, Eric Holder, po ashtu, kanë kërkuar qetësi.

Por, autoritetet në hapësirën Sent Luis në Misuri,po përgatiten për trazira të mundshme të dhunshme, pasi tensionet janë rritur në pritje të vendimit të jurisë së madhe.

Kjo juri do të vendos nëse polici, Darren Wilson, duhet të ballafaqohet me proces gjyqësor për vrasjen e 18 vjeçarit, Michael Brown, më 9 gusht të këtij viti.

Pas vrasjes së këtij të riu, janë mbajtur protesta të çdoditshme, disa prej të cilave u shndërruan në të dhunshme.

Demonstrata ka pasur edhe mbrëmë afër selisë së policisë në Ferguson.

Guvernatori i Misurit, Jay Nixon, e ka aktivizuar Gardën Kombëtare gjatë ditëve të fundit, ndërsa FBI i ka dërguar afro 100 agjentë për t’i ndihmuar agjencitë për zbatimin e ligjit në Ferguson.

XS
SM
MD
LG