Ndërlidhjet

VOX

VOX: Të rinjtë s’dinë se ekziston Ligji për të drejtat e tyre


Newborn, Kosova

Newborn, Kosova

Edhe në Kosovë të drejtat e të rinjve dhe fuqizimi i pjesëmarrjes se tyre në procesin e vendimmarrjes janë të rregulluara ligjërisht në Kuvendin e Kosovës. Por, pavarësisht kësaj, të rinjtë nuk janë të informuar për ekzistencën e këtij ligji, madje as për përmbajtjen e tij.

Për rubrikën tonë të përjavshme” VOX” disa të rinj thonë se nuk kanë dëgjuar se një ligj i tillë është miratuar në Kuvendin e Kosovës, dhe për këtë “fajësojnë” ministrinë përkatëse që nuk ka promovuar në media të shkruara dhe elektronike ligjin dhe përmbajtjen e tij.

Shega Bahtiri, studente në vitin e dytë, në Departamentin e Psikologjise në Universitetin e Prishtinës, nuk ka informacione se ekziston ky ligj. Ajo thotë se mos informimi i të rinjve është papërgjegjësi e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

“Këta dështojnë të promovojnë edhe shumë çështje tjera që janë të rëndësishme. Gjëja e fundit që është bërë për të rinjtë ka qenë një fushatë “Njoftohu me të Drejtat e Tua” dhe ajo nuk ka qenë në kuadër të Ministrisë".

"Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit, këtë vit më tepër ka qenë e interesuar të investoj në sport, disa investime të pjesshme në kulturë. Mendoj se rina është e lënë në harresë” thotë Shega

Ligji për fuqizimin dhe pjesëmarrje të Rinisë, është miratuar në vitin 2009 në Kuvendin e Kosovës.

Por, as kolegia e Shegës, Rreze Hoxha, thotë se nuk dinë se kur është miratuar ligji në fjalë.

“Janë arsyet e Shegës, pse ata (MKRS) ka vlerësuar çështjet tjera më të rëndësishme dhe më primare se sa këtë ligj”, pohon Rrezja.

Ligji për fuqizimin dhe pjesëmarrje të Rinisë ka për qëllim avancimin dhe riafirmimin e vazhdueshëm të pjesëmarrjes së të rinjve në procesin e vendimmarrjes, pa kurrfarë dallimi dhe përjashtimi, në zhvillimin e një shoqërie demokratike, me qëllim të përmirësimit të cilësisë së jetës së të rinjve dhe të statusit të tyre shoqëror

Valon Gashi, student në Fakultetin Ekonomik, ndërkaq thotë se në këtë ligj duhet të rregullohet edhe çështja e punësimit.

“Vazhdimisht rinia po anashkalohet. Ajo që duhet të përfshihet në ligj duhet të jetë arsimi e pastaj të rregullohet edhe çështja e krijimit të vendeve të punës pas përfundimit të arsimit, dhe të krijohen kushtet që të rinjtë të marrin pjesë në proceset vendimmarrëse”, ka thënë Valoni.

Në ligjin për rininë thuhet se institucionet e Kosovës, secila në fushëveprimin e vet, sigurojnë pjesëmarrje të të rinjve dhe ndikim në procesin e vendimmarrjes.

Pjesëmarrja e të rinjve në politikat sektoriale bëhet në shumë fusha duke përfshirë edhe arsimin dhe punësimin.

Ngjashëm thotë edhe Erblina Beqiraj, nga Komuna e Deçanit që studion poashtu në Fakultetin Ekonomik.

“Nuk e di se është miratuar Ligji. Është dashur që të promovohet më tepër ky ligj. Duhet të bëhet me tepër për sistemin e arsimit", tha Erblina.

Por, disa të rinj pohojnë se kanë dëgjuar se është miratuar Ligji, por që nuk kanë informacione se çfarë përmban.

Arbër Krasniqi, magjistër i ekonomisë thotë se ky ligj nuk zbatohet.

“Ligji ekziston por nuk zbatohet në praktikë, ka mbetur vetëm në letër”, shprehet shkurt Arbëri .

Për tu njoftuar më përmbajtjen e ligjit, i riu tjetër nga komuna e Drenasit, Granit Dugolli, thotë se autoritetet kompetente është dashur të organizojnë debate më të rinjtë.

“E di se ekziston ligji për të rinjtë, por nuk e di se çfarë përmban. Është dashur të mbahen debate më të rinjtë dhe të tregohen të drejtat që mbrohen në bazë të ligjit në fjalë. Unë konsideroj se fusha më e nevojshme që është dashur të jetë në ligj është arsimi”, thekson Graniti

Në njërin nga nenet e këtij Ligji, tregohen edhe përgjegjësitë e të rinjve të cilët duhet të respektojnë, si parimet e paqes, mirëkuptimit ndërmjet njerëzve, barazinë dhe dinjitetin e të të gjithë njerëzve të garantuar me Kushtetutën e Republikës se Kosovës.

Por edhe përgjegjësitë e organeve të pushtetit qendrore të cilat mbajnë përgjegjësi për zhvillimin, miratimin dhe zbatimin e dokumenteve përkatëse të sektorit të rinisë.

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG