Ndërlidhjet

Matushko: Separatistët përdorin terror


Svitlana Matushko
Svitlana Matushko

Banorja e qytetit Donjeck në pjesën lindore të Ukrainës, Svitlana Matushko, i ka kaluar shtatë ditë e mbyllur në bodrum të ndërtesës së bazës së ish-shërbimeve të sigurisë së Ukrainës në këtë qytet.

Ajo tregon se si autoritetet separatiste atje përdorin terror për t’i larguar të gjithë ata që i kundërshtojnë agjendat e tyre.

Ajo është një grua e moshës së mesme që merret me biznes. Çdo gjë filloi kur ajo ishte në punë një ditë, gjatë muajit të kaluar.

“Erdhën personat me armë automatike dhe uniforma dhe më arrestuan në punë. I morën të gjitha dokumentet dhe pajisjet elektronike. Ata ma kontrolluan shtëpinë dy herë pa kurrfarë urdhri apo ndonjë dokument. Dy herë e bastisën edhe vendin e punës. Pastaj më mbyllën në një bodrum të ndërtesës së ish-shërbimit sekret të Ukrainës në Donjeckt”, i tha Svitlana Matushko redaksisë për Rusinë të Radios Evropa e Lirë.

Ajo i kaloi shtatë ditë në këtë qeli në bodrum, e mbyllur me një grup të të burgosurve, në mesin e të cilëve kishte luftëtarë separatistë, një snajpere separatiste shtatzënë, dilerë të akuzuar të drogës, biznesmenë lokalë, një grua burri i së cilës ishte pjesëtar i partisë së ish-kryeministres, Yulia Tymoshenko, dhe një instruktor i karatesë.

Pjesa më e madhe e tyre ishte burgosur, dhe me gjasë ballafaqoheshin me ekzekutim, në tërësi në bazë të denoncimeve nga njerëzi që ata i njihnin.

Kjo është ajo që i kishte ndodhur Svitlana Matushkos, pasi ajo kishte konkluduar, në bazë të seancave të hetimit, se ajo ishte denoncuar nga njeriu me të cilin ajo dashurohej.

“I thashë personit që më merrte në pyetje: e di se kush e ka bërë këtë. A i keni dhënë ju atij medalje ose para ose përfitime të tjera? Për çfarë arsye ai e ka bërë këtë? Hetuesi më tha se në kohët e këtilla si kjo një pjesë e njerëzve më të poshtër dalin në sipërfaqe”, shpjegon Svitlana Matushko.

Deklarata e atij personi e akuzonte Matushkon se i ka fotografuar pozicionet e milicive separatiste dhe i ka transmetuar fotot tek ushtria e Ukrainës. Matushko thotë se këto akuza ishin absurde.

Megjithatë, ajo nuk e përjashton faktin se është patriote ukrainase dhe i kundërshton separatistët prorusë.

Ajo kishte marrë pjesë për disa ditë në protestat Maidan në kryeqytetin Kiev dhe në demonstratat për Ukrainën në Donjeck para fillimit të luftimeve.

“Kam shkuar në demonstrata. Kam biseduar me të gjithë miqtë e mij. U kam shpjeguar atyre se çka po ndodhë. E dini se fuqia e ish-presidentit, Yanukovich, dhe e familjes së tij ishte aq e madhe, sa praktikisht çdokush ka vuajtur. Korrupsioni ishte shumë i lartë dhe e ka prekur çdo njeri”, tha Matushko.

Ajo mëtutje tregon se kur një nga hetuesit e saj, i cili ishte identifikuar si ish-oficer i policsë Berkut, që po ashtu kishte qenë në Maidan, kur i ka parë fotografitë e saj të Maidanit, i është kërcënuar për ta qëlluar atë me armë “me dorën e tij” sepse ajo “ka hedhur koktej Molotovi” kundër tij.

Megjithqë kushtet ishin të këqia dhe ajo frikësohej vazhdimisht, Svitlana Matushko thotë se nuk e kishin rrahur ose torturuar. Por, të tjerët nuk e kishin pasur fatin e saj. Një person e kishte kaluar tërë javën i lidhur me pranga. Tjetri, kishte treguar se si ishte mbajtur në qeli të izoluar pa ujë dhe ushqim për katër ditë.

Zonja Matushko nuk e di se përse ishte liruar pasi i kishte kaluar shtatë ditë e mbyllur në bodrrum.

“Aty kah dita e katërt, pasi e dini se çdo herë kur ata më thërrisnin mendoja se do të më qëllonin, një person më tha se nuk do të më vrasin”, thotë Svitlana Matushko, dhe shton se pas tri ditësh, ishte e hënë, ata e liruan.

“Çfarë përpiqeshin ata të bënin? Ata dëshironin ta frikësonin sa më shumë që ishte e mundur popullin në Donjeck, që janë lojalë ndaj Ukrainës, që dëshirojnë Ukrainën unike, në mënyrë që ata të largoheshin nga, gjoja sipas dëshirës së tyre. Pastaj ata duan ta popullojnë atë territor me njerëz që janë lojalë ndaj Rusisë. Mendoj se ky është qëllimi i tyre”, tha Matushko, duke theksuar se separatistët prorusë në Donjeck e kanë arritur këtë synim.

Pasi ishte liruar nga separatistët, Matushko ishte shpërngulur në Kiev dhe tash punon me personat e zhvendosur.

Sipas saj, konflikti në Donjeck, në pjesën lindore të Ukrainës, i ka ndarë edhe familjet.

“Kjo e ka prekur edhe familjen time. Nëna ime mori pjesë në zgjedhjet e 2 nëntorit. Ajo shkoi në Donjeck dhe votoi në të ashtuquajturat zgjedhje në Republikën Popullore të Donjeckut. U përpoqa t’ia shpjegoj se voton për dikë që dëshiron vrasjen e fëmiut të saj, por ajo nuk e kuptonte këtë. Ajo tha se voton për paqe”, tha Matushko.

Tash nga Kievi, Matushko kërkon që qeveria e Ukrainës ta godasë kryengritjen separatiste, për të cilën ajo konsideron se është “terrorizëm i pastër”, sipas modelit të Terrorit të Madh të ish-diktatorit sovjetik, Josef Stalin.

“Ukraina duhet ta çliroj territorin e vet nga terroristët. Ky nuk është asgjë tjetër por terrorizëm i pastër. Sikur gjatë Terrorit të Madh të Stalinit në vitin 1937, kur njerëzit arrestoheshin sipas denoncimeve krejtësisht të pabaza. Këta njerëz duhet të lirohen pasi me të vërtetë atje ka shumë patriotë që janë të tmerruar. Shumë prej tyre po largohen. Njerëzit frikësohen të dalin nga shtëpitë e tyre. Ata fshehen, ata rezistojnë në çfarëdo mënyre që munden”, u shpreh Svitlana Matushko.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG