Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, ka konfirmuar sot se sekretari i mbrojtjes, Chuck Hagel po tërhiqet, pasi në këtë post i kaloi më pak se dy vjet.
Duke folur në Shtëpinë e Bardhë, zoti Obama tha se Hagel kishte konkluduar se kjo është “kohë e përshtatshme” për të që ta përfundoj shërbimin e tij.
Afër presidentit Obama ishin zëvendëspresidenti, Joe Biden, dhe sekretari Hagel. Obama theksoi se Chuck Hagel ishte një sekeretar “shembullor” i mbrojtjes dhe se do të mbetet në këtë post derisa të emërohet pasardhësi i tij.
Zoti Hagel, ish-senator dhe veteran lufte i Vietnamit, tha se administrata Obama e ka vënë Departamentin e mbrojtjes dhe në tërësi Shtetet e Bashkuara, në një kurs më të fuqishëm kah stabiliteti dhe siguria.
Raportohet se dorëheqja e zotit Hagel u bë pas kritikave nga kundërshtarët e qeverisë lidhur me fushatën ushtarake në Afganistan dhe operacionet me të cilat sulmohen caqet e militantëve të Shtetit Islamik në Siri dhe Irak.