Ndërlidhjet

Trazira në Ferguson


Protesta të dhunshme në Ferguson
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:16 0:00

Protesta të dhunshme në Ferguson

Në qytetin amerikan, Ferguson të Missourit, kanë shpërthyer protesta të ashpra, pas vendimit të jurisë që polici i racës së bardhë, Darren Wilson, të mos akuzohet për vrasjen e adoleshentit me ngjyrë, i cili ishte i paarmatosur, Michael Brown, më 9 gusht.

Kjo juri, që në anglishte njihet me emrin Grand Jury [Juri e Madhe] përbëhet nga një grup prej 12 personash, që mblidhen për të shqyrtuar dëshmitë kundër një personi të caktuar, për të përcaktuar nëse personi në fjalë duhet të ndiqet penalisht.

Protestuesit kanë djegur makinat e policisë dhe së paku një ndërtesë, kanë plaçkitur dyqanet, ndërsa në lagjen Saint Louis janë dëgjuar të shtëna.

Policia ka përdorur gaz lotsjellës për shpërndarjen e masës së njerëzve, ndërsa autoritetet e aviacionit në Shtetet e Bashkuara kanë shpallur kufizime të përkohshme të fluturimeve.

Shefi i policisë në Saint Louis, John Belmar, tha se kjo dhunë ishte “me gjasë shumë më e rëndë” në krahasim me trazirat që ndodhën pasi oficeri i policisë, Darren Wilson, qëlloi dhe vrau të riun 18 vjeçar, Michael Brown, më 9 gusht.

Protestat shpërthyen në Ferguson, disa momente pasi prokurori kryesor në Sent Luis, Bob McCulloch, shpalli vendimin e jurisë, për të mos e ndjekur penalisht policin ëillson. Në rastin e kundërt, ai mund të përballej me akuza për vrasje të paqëllimshme e deri te akuza për vrasje të shkallës së parë.

Polici Darren Wilson
Polici Darren Wilson

Nëna e të riut të vrarë, Lesley McSpaddeen, jashtë gjykatës po e ndiqte transmetimin e deklaratës së kryeprokurorit McCulloch dhe shpërtheu në vaj kur e dëgjoi vendimin e jurisë.

Familja Brown më vonë publikoi një deklaratë, në të cilën theksohej se ishte “thellësisht e pakënaqur” me vendimin dhe, po ashtu, ka bërë thirrje te publiku që ta “kanalizojë frustrimin në mënyra që do të sillnin ndryshime pozitive”.

Pjesa më e madhe e protestuesve duket se ishin shpërndarë mbrëmë vonë, por pas mesnatës ishte raportuar për vjedhje dhe të shtëna.

Policia në Sent Luis ka raportuar për të shtëna nga armët e rënda automatike në hapësirën ku Michael Brown ishte vrarë.

Në demonstratat në qytetet e tjera, përfshirë New Yorkun dhe Los Angelesin, protestohet kundër vendimit për këtë rast, i cili ka aktualizuar përsëri tensionet racore në Shtetet e Bashkuara.

Nuk është raportuar për dhunë në këto protesta.

Presidenti amerikan, Barack Obama, ka kërkuar që protestuesit të mbeten paqësor dhe që policia të tregojë përmbajtje.

Ai theksoi se duhet të pranohet se vendimi ishte punë e jurisë dhe se “Amerika është e ndërtuar në sundimin e ligjit”.

“është e domosdoshme të pranojmë se ky vendim ishte detyrë e jurisë. Ka amerikanë që pajtohen me të dhe ka amerikanë që janë thellësisht të pakënaqur, bile edhe të zemëruar. Është reagim i kuptueshëm”, tha presidenti amerikan, Barack Obama, duke folur në Shtëpinë e Bardhë.

Lideri për të drejtat civile në Shtetet e Bashkuara, Jesse Jackson, tha se duhet të përfundojë dhuna e policisë kundër popullit.

“Secili qytet e ka Fergusonin dhe Michael Brownin e vet. Ne dëshirojmë që të ndalet dhuna. Kjo është dhunë e policisë kundër popullit. Dhuna e brendshme është e neveritshme dhe e gabueshme, por kur njeriu që e ka armën dhe shenjën dhe autoritetin e shtetit, i paguar për të shërbyer dhe mbrojtur, shndërrohet në ekzekutues, atëherë kjo është e papranueshme".

"Njerëzit me vetëdije duhet të ngriten dhe të luftojnë duke kërkuar një polici urbane”, tha Jesse Jackson.

Vrasja e të riut Brown në muajin gusht ka shkaktuar disa javë të protestave në Ferguson, me raste edhe të dhunshme, dhe ka hedhur në fokus çështjen e trajtimit policor të minoriteteve në Shtetet e Bashkuara.

Disa njerëz, që thonë se e kanë parë rastin, janë shprehur se polici Wilson e ka qëlluar të riun Brown ndërkohë që mbante duart lart, por disa dëshmitarë të tjerë raportohet se i kanë kundërshtuar këto pohime në dëshmitë e dhëna para jurisë. (f.bujupi)

XS
SM
MD
LG