Ndërlidhjet

logo-print

PDK e LDK definojnë marrëveshjen, pritet publikimi


Posterë nga fushata zgjedhore në Kosovë...

Posterë nga fushata zgjedhore në Kosovë...

Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës janë në fazën finale të dizajnimit të marrëveshjes për bashkëqeverisje, me theks të veçantë në ndarjen e ministrive dhe hartimit të programit qeverisës.

Kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi sërish ka folur të martën pozitivisht për pritjet e tij nga ky koalicion, duke thënë se të dy partitë partnere përfaqësojnë numrin më të madh të elektoratit dhe vullnetit të qytetarëve të Kosovës.

Sipas tij, aktualisht grupet punuese të të dyja partive po e harmonizojnë programin e ardhshëm qeverisës.

Por, ai sërish nuk ka folur për ndarjen e posteve.

Pata kënaqësinë ta informoj Grupin Parlamentar të PDK-së për arritjen e marrëveshjes, për hapat e mëtutjeshëm që po ndërmarrim, gjithashtu edhe për hartimin e programit të përbashkët qeverisës. Ne tash, do të vazhdojmë me hapa tjerë të rëndësishëm të bashkëpunimit por edhe të finalizimit të plotë të marrëveshjes në mes PDK-së dhe LDK-së, dy partive me vlera dhe interesa të përbashkëta të qendrës së djathtë", ka thënë Thaçi.

Përderisa PDK dhe lideri i saj, Hashim Thaçi nuk flasin për mënyrën sesi e parasheh marrëveshja për bashkëqeverisje ndarjen e posteve dhe sidomos ndarjen e postit të kryeministrit, për LDK-në, kjo çështje është e kryer.

Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Lutfi Haziri ka thënë se PDK nuk i ka kërkuar LDK-së të udhëheqë me qeverinë e ardhshme pasi që sipas tij, kjo çështje është definuar me marrëveshjen parimore që Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa nënshkruan më 19 nëntor.

"Nuk ka një kërkesë të tillë, nuk është adresuar te ne. Kjo punë është mbyllur me deklaratën parimore dhe se tani konstruktiviteti ynë është në ndërtim apo zbatim të marrëveshjes", ka thënë Haziri.

Çdo devijim me kërkesën që PDK të merr nën drejtim qeverinë e ardhshme, sipas Lutfi Hazirit, për LDK-në do të nënkuptonte prishjen e marrëveshjes dhe kalimin në opozitë.

Ishte pikërisht posti i kryeministrit që ishte bërë shkas edhe i ndarjes së LDK-së nga ish koalicioni pas zgjedhor i quajtur VLAN, ku bënin përveç LDK-së, bënin pjesë edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, partia Nisma dhe Vetëvendosje.

Përderisa PDK dhe LDK nuk i bëjnë transparente detajet e marrëveshjes, analistët kishin vlerësuar se PDK është në pritje të arritjes së një dakordimi për një marrëveshje në pako para se Isa Mustafa të propozohet si kandidat i këtij koalicioni për kryeministër.

Sipas analistëve, PDK kërkon që për vete të ketë postin e kryetarit të Kuvendit dhe mbështetjen e LDK-së për postin e Presidentit të Kosovës, që do të vinte në shprehje në vitin 2016, pasi që të përfundonte mandatin presidentja Atifete Jahjaga.

Partnerët e koalicionit janë në proces edhe të definimit dhe ndarjes së ministrive.

Marrëveshja ndërmjet PDK-së dhe LDK-së ishte nënshkruar nga liderët e këtyre subjekteve politike, Hashim Thaçi e Isa Mustafa në prani të presidentes Atifete Jahjaga dhe ambasadores amerikane në Prishtinë, Tracey Ann Jacobson.

  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG