Ndërlidhjet

logo-print

Organizatat e dala nga lufta protestojnë para UP-së

  • RFE /RL

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka mbajtur protestë para Rektoratit të Universitetit të Prishtinës, duke i shprehur pakënaqësitë, për siç thanë ata, moszbatimin e Memorandumit të Bashkëpunimit për regjistrimin e fëmijëve të kategorive të dala nga lufta, në Universitetin e Prishtinës.

Regjistrimi i tyre, sipas Memorandumit, bëhet pa përmbushjen e kritereve të përcaktuar për pranim të rregullt në UP.

Pas një varg akuzash në drejtim të rektorit të UP-së, Ramadan Zejnullahut, kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës të UÇK-së, Smajl Elezaj gjatë protestës tha se "Kosova nuk do të ketë rehati e as siguri, derisa të gjithë studentët që janë fëmijë të kategorive të dala nga lufta të vijojnë studimet barabartë sikur studentët e tjerë".

"Nuk po kërkojmë shumë. Ata që janë pranuar në afatet e rregullta sipas meritës, janë të sistemuar nëpër fakultete. Po konsiderojmë se nuk i është bërë padrejtësi askujt. Po kërkojmë, vetëm që të ngushtohen pak, e të lëshojnë vend edhe për fëmijët e atyre që dhanë gjithçka që ne sot të kemi Universitet të lirë, shtet dhe institucione të lira", shtoi ai.

Zbatimin e këtij memorandumi, i nënshkruar në vitin 2009 në mes të Universitetit të Prishtinës dhe shoqatave të dala nga lufta, e ka kundërshtuar rektori i sapozgjedhur i UP-së, Ramadan Zejnullahu.

Ai kishte bërë të ditur se në rreth 130 studentë të kësaj kategorie janë regjistruar, por kishte theksuar se nuk mund të merren parasysh kandidatët, që supozohet se janë më tepër se 1 mijë, të cilët, sipas autoriteteve të UP-së, nuk i kanë plotësuar kriteret akademike, që i kërkon universiteti publik i Kosovës.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG