Ndërlidhjet

Thaçi: Do të kemi një qeveri stabile me njerëz kredibil


Hashim Thaçi

Hashim Thaçi

Kosova do të ketë institucione stabile, demokratike dhe me njerëz kredibil ka thënë kryeministri në largim, Hashim Thaçi.

Në fjalimin e tij të mbajtur para kabinetit qeveritar në largim, Thaçi ka thënë se koalicioni i ri për institucionet e ardhshme të Kosovës ndërmjet Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës ka marrë si zotim zhvillimin dhe integrimin e vendit.

"Do të krijojmë një ambient dhe hapësirë të mjaftueshme edhe për opozitën, do të kemi një hapësirë dhe bashkëpunim me shoqërinë civile, mediet, do të punojmë që të kemi bashkëpunim rajonal me të gjitha vendet e rajonit", ka thënë Thaçi.

Qeveria e re që sipas tij do të formohet nga PDK dhe LDK do të kryen të gjitha zotimet ndërkombëtare si dhe do të punoj në aspektin e zhvillimit ekonomik dhe hapjen e vendeve të reja të punës.

Kurse zotime të përhershme, sipas tij, mbeten proceset integruese evropiane, liberalizimi i vizave dhe partneriteti me NATO-n.

Në mbledhje, zëvendëskryeministrja në largim Edita Tahiri, ka njoftuar kabinetin qeveritar lidhur me pjesëmarrjen e saj në mbledhjen e asamblesë së Byrove dhe Kompanive të Sigurimeve, ku është miratuar unanimisht Draft-Marrëveshja mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë, në kuadër të dialogut të Brukselit për çështjet e sigurimit të automjeteve, e cila marrëveshje në momentin e nënshkrimit, do të mundësojë uljen e tarifave për sigurimin e automjeteve dhe do të bëjë më tej lehtësimin e lëvizjes së lirë.

“Kjo marrëveshje, e cila pritet të nënshkruhet në Bruksel nga të tria palët, përfshirë edhe Këshillin e Byrove Evropiane, është në frymën e programit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, për shërbime sa më të mira dhe jetë më të mirë për qytetarët, dhe në këtë kuadër edhe për lëvizjen e lirë, sepse ne edhe deri tash kemi dëshmuar se për ne si Qeveri e Republikës së Kosovës qytetari është i pari”, ka theksuar Tahiri.

  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG