Ndërlidhjet

Riatdhesimi thellon varfërinë


Pamje nga Kosova
Pamje nga Kosova

Thellimin e varfërisë në Kosovë thuhet të kenë rritur edhe numri i qytetarëve të Kosovës të cilët kohëve të fundit janë riatdhesuar nga vendet e ndryshe evropiane.

Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, që nga viti 2008 e deri më tani, vlerësohet se nga shtetet e Bashkimit Evropian janë riatdhesuar mbi 25 mijë persona.

Derisa, gjatë vitit 2013 numri i personave të riatdhesuar ka qenë mbi 5 mijë persona. Kthimet, kryesisht janë bërë nga Gjermania, Suedia , Zvicra dhe Franca.

Një hulumtim i bërë nga Rrjeti i Kosovës Kundër Varfërisë, thuhet se pavarësisht se autoritetet e vendit janë zotuar se qytetarëve të riatdhesuar do t’iu ofrohen kushtet e nevojshme, shumë familje po ballafaqohen me probleme ekonomike dhe sociale.

Vehbi Mujku nga kjo organizatë, theksoi se familjet e riatdhesuara në Kosovë kanë përkrahje nga autoritetet e Kosovës, por që kjo përkrahje është vetëm 12 muaj dhe pas kësaj periudhe gjendja ekonomike dhe sociale e tyre është e pa sigurtë.

“Numri i familjeve dhe individëve të kthyer, riatdhesuar, ka ndikuar drejtpërdrejtë në thellimin e varfërisë në Kosovë. Ka disa shkaqe që ky kthim e ka rritur shkallën e varfërisë në Kosovë. Një nga këto është mungesa e strehimit për shumë nga këto familje”, thekson Mujku.

Sipas këtij hulumtimi shumë prej këtyre familjeve të riatdhesuara janë raste sociale dhe kanë problem me punësimin dhe arsimimin. E gjithë kjo siç thekson Mujku, e ka rënduar jetesën e tyre.

“Duke u nisur nga e gjithë kjo këto familje çdo herë paraqiten në sistem si familje me probleme tjera të theksuara sociale, siç është dhuna në familje, sjellja asociale e fëmijëve, braktisja e shkollave nga fëmijët, bredhja rrugëve dhe ndonjëherë edhe krimi”, thekson Mujku.

Zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, e cila koordinon procesin e ri-integrimit të personave të riatdhesuar kanë theksuar si të nevojshme që procesi i riatdhesimit të kalojë në nivelin komunal.

Kushtrim Nreci nga Departamenti për Ri-integrim në Ministrinë e Punëve të Brendshme, ka theksuar se edhe niveli lokal duhet të jenë të përgatitur pasi që numri i të kthyerve do të rritet.

“Gjatë viteve në vijim do të kemi edhe një numër më të madh të të kthyerve dhe do të kemi një numër të madh i cili duhet të na gjejë të përgatitur që t’i përballojnë sfidatdhe proceset që na takojnë”, thekson ai.

Sipas të dhënave të Bankës Botërore, varfëria ekstreme e cila përkufizohet si jetesa me më pak se 2.5 dollarë në ditë, në Kosovë ka arritur në 30 për qind, derisa varfëria e moderuar, e cila nënkupton jetesën me 5 dollarë në ditë, ka arritur në rreth 50 për qind.

Në anën tjetër, kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Haxhi Arifi, thekson se personave të riatdhesuar duhet t’iu krijohen kushte adekuate për ri-integrim.

“Personat të cilët riatdhesohen kanë një mentalitet tjetër nga ajo që është në Kosovë. Ata atje kanë pasur një jetë më të mirë sesa ajo çka i pret këtu. Shumë prej tyre kanë punuar dhe janë aftësuar atje në ndonjë profesion që ndoshta në Kosovë ka mungesë, dhe shteti i Kosovës në këtë aspekt duhet të krijojë kushte për ta”, vlerëson Arifi.

Pavarësisht numri të madh të të riatdhesuarve, se fundi interesimi i të qytetarëve të Kosovës për të migruar në vende të ndryshme të botës është rritur.

Riatdhesimi i migrantëve dhe ri-integrimi i tyre është një nga parakushtet kryesore për të hequr regjimin e vizave me BE-në.

XS
SM
MD
LG