Ministria e jashtme dhe e integrimeve evropiane e Malit të Zi ka vlerësuar se janë “të papranueshme” porositë e karakterit antirus në mbishkrimet, që janë paraqitur këto ditë në rrugët e kryeqytetit Podgoricë.
Në njërën nga parullat, me logon e NATO-s, gjendet edhe porosia “më mirë banana në dorë se çizma ruse në qafë”, me ç’rast ishin të vizatuara banana dhe çizmja me flamurin e Rusisë.
Ambasada e Rusisë në Podgoricë, siç kanë transmetuar mediat, ka kërkuar shpjegim lidhur me këtë mbishkrim nga minisrtria e punëve të jashtme e Malit të Zi, ndërsa ministria është pergjegjur se kjo është e papranueshme.
Në parullën antiruse janë nënshkruar “patriotët malazezë” megjithqë një organizatë e tillë është e panjohur, raporton agjencia Beta nga Podgorica.
Ministria e jashtme e Malit të Zi ka kumtuar se Mali i Zi e konsideron Rusinë “vend mik dhe partner” dhe se dëshiron që me të të mbajë raporte të tilla.