Ndërlidhjet

Moldavi: Ndarje e thellë - Evropa apo Rusia?

  • RFE /RL

Në Moldavi, më 30 nëntor mbahen zgjedhjet parlamentare.

Por, ky vend është thellësisht i ndarë: disa janë fuqishëm për integrim evropian, ndërsa ka edhe të atillë që i favorizojnë lidhjet e afërta me Rusinë.

Gjasat që zgjedhjet e përgjithshme në Moldavi të përfundojnë me sfida juridike apo edhe me protesta, duket se ende janë reale.

Gjykata e Apelit e ka përjashtuar partinë pro-ruse, Partia (Atdheu) nga pjesëmarrja në zgjedhje, pas kërkesës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, që kjo parti të eliminohet nga gara zgjedhore. KQZ-ja ka pretenduar se kjo parti në mënyrë ilegale i ka shfrytëzuar “fondet e jashtme” për ta financuar fushatën e saj.

Në një video të 26 nëntorit, që është paraqitur, gjithashtu, në faqen e Radios Evropa e Lirë për Moldavinë në Internet, dëgjohet se si lideri i partisë Partia, Renato Usatii, pranon se ai është nën kontrollin e Shërbimit të Sigurisë Federale të Rusisë.

Forcat e sigurisë së Moldavisë i kanë arrestuar pesë vetë të dyshuar për planifikim të dhunës pas zgjedhore. Policia ka pretenduar se ka konfiskuar revole, granatahedhës dhe një shumë të paspecifikuar të parave.

Sipas policisë, 15 njerëz, që dyshohet se janë pjesëtarë të një organizate jolegale pro-ruse, ishin të involvuar në komplot.

Megjithatë, edhe para këtyre zhvillimeve, koalicioni pro-evropian qeverisës në Moldavi, dhe vëzhguesit e jashtëm, patën tërhequr vërejtjen për mundësinë e demonstratave pas zgjedhore.

Në një raport nga Qendra për Studime Lindore në Varshavë, pos tjerash, thuhet se “në rast të humbjes së forcave pro-ruse, para se gjithash, mund të presim që rezultatet zgjedhore të kontestohen, dhe të ketë demonstrata masive ose protesta të gjata si në kryeqytetin Kishinev, ashtu edhe në Gagauzi dhe Balti”.

Qeveria e Moldavisë, tashmë i ka dhënë opozitës një mjet potencialisht të fuqishëm për protesta të tilla, duke vendosur që në Rusi të hapen vetëm pesë vendvotime për zgjedhje, megjithëqë afro një milion shtetas jetojnë atje.

Mediat ruse tashmë e kanë akuzuar qeverinë në Kishinev se këtë po e bënë me qëllim “të sigurimit të falsifikimit relativisht legjitim”.

Por, analisti në Fondacionin Jamestown, Vladimir Socor, mendon krejtësisht ndryshe:

“E vetmja që është e interesuar në destabilizimin e Moldavisë është, pa dyshim, Rusia. Një Maidan i stilit rus mund të shkoj shumë në favor të Rusisë”, tha Vladimir Socor, për programin për Moldavinë në Radion Evropa e Lirë.

Zgjedhjet e 30 nëntorit janë test i vështirë për koalicionin pro-evropian të Moldavisë në qeveri, meqë në votime mund të përcaktohet drejtimi gjeopolitik i këtij vendi në të ardhmen.

Ish-ministri i Jashtëm i Rumanisë, Teodor Baconschi, në këtë aspekt, shprehet:

“Nëse përpara çdokush mendonte se ishte e mundshme të pranohet dhe gjendet një balancim stabil ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit, tash mendoj se votuesit duhet të bëjnë zgjedhje ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit. Kjo ndodhë meqë ‘ripërtëritja’ në raportet ndërmjet Uashingtonit dhe Moskës nuk ishte e suksesshme dhe për shkak se po zhvillohen procese në rajon, të cilat askush nuk dëshiron t’i shohë në Moldavi. Pra nuk kemi të bëjmë me çështjen e zgjedhjes së “të keqes më të vogël”, siç ndodhë shpeshherë në rastet e shteteve demokratike, por është zgjedhje e drejtimit për të ardhmen afatgjatë”, i tha Radios Evropa e Lirë, Teodor Baconschi.

Moska ka thënë se çdo ndryshim në statusin neutral të Moldavisë e konsideron të papranueshëm.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG