Papa Françesku ka bërë thirrje për dialog ndërfetar, duke thënë se ai mund të ndihmojë fundin e fundamentalizmit dhe të terrorit.
Duke folur në ditën e parë të vizitës së tij treditore në Turqi, Papa ka dënuar militantët e Shtetit Islamik.
“Fanatizmi dhe fundamentalizmi, ashtu si edhe frika iracionale, e cila nxit keqkuptim dhe diskriminim, duhet të kundërshtohen me solidaritetin e të gjithë besimtarëve”, ka thënë Papa Françseku.
Ai po ashtu ka theksuar se “është e domosdoshme që të gjithë qytetarët – myslimanë, hebrenj dhe të krishterë – të gëzojnë të drejtat dhe respektin e njëjtë”.
Papa i ka bërë këto komente në konferencën e përbashkët për gazetarë me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan.
Kreu i Selisë së Shenjtë i ka bërë thirrje botës që të ndihmojë Turqinë, e cila strehon rreth 1.6 milion refugjatë sirianë.
Papa ka thënë se komuniteti ndërkombëtar e ka “obligim moral” për të ndihmuar Turqinë në strehimin e refugjatëve.