Ndërlidhjet

Rreth 600 milion marka të Kosovës ende mbesin në Serbi


Ilustrim
Ilustrim

Afër 600 milion marka gjermane apo përkthyer në euro 300 milionë euro, konsiderohet të jenë mjetet e kursyera nga qytetarët e Kosovës në bankat e ish Jugosllavisë që në periudhën e paraluftës kanë operuar në Kosovë.

Kështu thonë ekspertë për çështje ekonomike, duke kërkuar nga autoritetet kompetente që të kërkojnë kthimin e këtyre mjeteve nga shteti i Serbisë.

Në atë kohë në Kosovë bankat kryesore të ish- Jugosllavisë kanë qenë “Jugobanka”, “Banka e Lublanës” dhe “ Bankos”, e që kursimtarët mjetet e tyre financiare në këto banka i kishin të kursyera, kryesisht në valutën gjermane (DEM) si dhe në valuta tjera.

Flamur Keqa, tashmë udhëheqës iInstitutit për Banka dhe Financa, në atë periudhë ishte kontrollor i lartë për diferenca të kursit dhe punë të përgjithshmedevizore në ish Bankën Popullore të Kosovës.

Ai për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se mbi 500 milion marka gjermane janë kursimet e qytetarëve në bankat e ish Jugosllavisë.

Për këtë Keqa shprehet se Qeveria e Kosovës duhet patjetër të kërkoj kthimin e këtyre kursimeve.

“Institucionet qeveritare është dashur gjithsesi që të ndërmarrin hapin në realizimin e këtyre kërkesave, kërkesa të cilat realisht nuk janë të vogla. Sipas të dhënave të mia, janë rreth 500 milion marka gjermane. Kështu që kthimi eventual i tyre do të krijonte një komoditet financiar për qytetarët e Kosovës por edhe për zbutjen e varfërisë”, thekson Keqa.

Eksperti për çështje ekonomike, Ismail Kastrati,gjatë periudhës 1995 deri në vitin 1999, ka qenë kryetar i Këshillit Qendror të Financimit të Kosovës. Ai thotë se deri në fund të vitit 1997, kursimet e kosovarëve kanë qenë afër 600 milion marka gjermane.

Kastrati, thotë se autoritete shtetërore deri më tash nuk kanë ngritur këtë çështje, por që disa qytetarë në forma të ndryshme kanë arritur ti rikthejnë mjetet e tyre, por të zhvlerësuar për gjysmë.

“Për sa unë kam informata nuk kam dëgjuar që ndonjë herë është ngritur kjo çështje në mënyrë zyrtare. Për veç se qytetarët në mënyrë individuale kanë bërë përpjekje të ndryshme për ti nxjerr këto kursime, duke i zhvlerësuar deri në 50 për qind”, tha Kastrati.

Flamur Keqa, ndërkaq thotë se autoritetet në Kosovë këtë çështje është dashur të ngrisin gjatë bisedimeve Prishtinë – Beograd që po zhvillohen në Bruksel.

“Në mënyrë që Kosova dhe qytetarët t’i gëzojnë kursimet e tyre që i kanë fituar me punën e tyre për vite të tëra, një pjesë e madhe e atyre që kanë kursyer ndoshta nuk janë në jetë, por trashëgimtaret e tyre, apo kush do nga familjet e tyre, duhet të gëzojnë këtë të drejtë, që është e drejtë elementare njerëzore, që t’i realizojnë kursimet të cilat kanë mbetur të ngujuara, apo thënë lirisht plaçkitura nga autoritetet serbe”, shprehet Keqa.

Në mungesë të veprimit institucional, pas përfundimit të luftës, disa agjenci apo edhe persona, më një përqindje të lartë, patën filluar të gjenin mundësi që qytetarët kosovar ti tërhiqnin kursimet e tyre. Deri më tani nuk dihet saktë se sa është shuma e tërhequr, vetëm nga ekspertët vlerësohet se kjo shume duhet të jetë simbolike.

XS
SM
MD
LG