Ndërlidhjet

Shesheli “ritensionon” marrëdhëniet në rajon

  • RFE /RL

Partia Radikale serbe

Partia Radikale serbe

I akuzuari serb për krime lufte, Vojisllav Sheshel, në liri të përkohshme nga Gjykata e Hagës, ka arritur që me fjalimet e tij luftënxitëse të tensionojë marrëdhëniet në rajon, aq sa edhe kryeministri kroat, Zoran Millanoviq, ka anuluar vizitën në Beograd, të paraparë për muajin dhjetor.

Sheshel, menjëherë pas arritjes në Beograd, ka thënë se nuk ka hequr dorë nga programi i tij për Serbinë e Madhe dhe se Vukovari është “qytet serb, i çliruar në nëntor të vitit 1991”.

Millanoviq ka thënë se ka anuluar vizitën pasi Qeveria në Beograd nuk është distancuar nga deklaratat e tilla dhe se Shesheli, gjatë viteve ’90, ka qenë në të njëjtin bllok politik me autoritetet që udhëheqin sot Serbinë.

“E gjitha çfarë kërkoj nga ju është të thoni se kjo nuk qëndron, kjo është e gabuar dhe ne distancohemi. Besoj se qeveria e mëparshme (e Serbisë) do ta bënte. E tanishmja, për një arsye, nuk e bën. Në këto rrethana, më duket qesharake të shkoj atje”, ka thënë Millanoviq.

Ai është dashur të marrë pjesë në një samit të 15 kryeministrave rajonalë në Beograd, që do të organizohet nga Kina.

Marinko Çulliq, nga javorja kroate Novosti, thotë se vendimi i Millanoviqit për të anuluar udhëtimin është një hap i papjekur politik.

“Mendoj se është joserioze nga ana e Millanoviqit, që për shkak të një ngjarjeje episodike politike të anulojë vizitën në Beograd, dhe atë jo vizitë dypalëshe por më të gjerë. Mendoj se kjo nuk është pjekuri dhe se flet me pesimizëm për marrëdhëniet kroate-serbe në një të ardhme të afërt”, thotë Çulliq.

A janë marrëdhëniet në rajon, në veçanti ato midis Serbisë dhe Kroacisë, të brishta deri në atë masë saqë të dridhen nga një fjalim luftënxitës i Sheshelit? Sonja Biserko, kryetare e Komitetit të Helsinkut për Serbinë, përgjigjet me ‘po’.

“Mendoj se Shesheli ilustron atë frymën në rajon që nuk e ka tejkaluar të kaluarën. Askush nuk është distancuar qartë nga e kaluara, e aq më pak Serbia. Kanë kaluar 25 vjet nga fillimi i luftës. Gjermania dhe Franca, 25 vjet pas fillimit të Luftës së Dytë Botërore, kanë qenë shumë më përpara në ndërtimin e besimit të ndërsjellë, ndërsa këtu nuk është vendosur asnjë gur”, thotë Biserko.

Presidenti i Kroacisë, Ivo Josipoviq, ka thënë se do ta dërgojë rastin Sheshel para Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Të enjten, Parlamenti Evropian ka miratuar një rezolutë, cila dënon thirrjet për luftë të Sheshelit, si dhe inkurajimet e tij për pretendime territoriale.

Qëndrimi i autoriteteve në Beograd, të cilat kanë heshtur me zë, duke injoruar provokimet e Sheshelit, është se Shesheli është i parëndësishëm në politikë. Në këtë frymë janë shprehur edhe disa parlamentarë evropianë, kur është votuar për rezolutën kundër tij.

Marinko Çulliq thotë se Shesheli, ditëve të fundit, po menaxhon me politikën e brendshme të Kroacisë.

“Nëse Shesheli është i çmendur, siç flitet, atëherë edhe Kroacia, në njëfarë mënyre, është e çmendur. Nuk them se nuk është dashur të ketë reagime, por ky reagim që kufizohet me histerinë, tregon se Kroacia nuk është e pjekur politikisht dhe se nuk ka vetëbesim”, thotë Çulliq.

Qeveria e Serbisë kryesohet tani nga presidenti Tomisllav Nikolliq dhe kryeministri Aleksandar Vuçiq. Të dy ata kanë lënë partinë e Sheshelit më 2008 dhe kanë formuar Partinë Përparimtare Serbe.

Sheshel akuzohet për krime lufte në Bosnje dhe Kroaci.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG