Ndërlidhjet

Opozita maqedonase vazhdon bojkotin e institucioneve


Kuvendi i Maqedonisë
Kuvendi i Maqedonisë

Opozita maqedonase vazhdon veprimin jashtë institucioneve me pretendimin se do ta shpiej në histori qeverinë e kryeministrit, Nikolla Gruevski, pas aktivizimit të siç shprehet “bombës” me dëshmi që flasin për përfshirjen e saj në afera të shumta kriminale.

Lidhja social-demokrate po bojkoton punimet e kuvendit që nga zgjedhjet parlamentare të prillit ndërsa drejtuesit e saj, thonë se kanë siguruar dokumente të shumta mbi përfshirjen e qeverisë në afera të shumta, madje edhe në çështje të ndjeshme ndërentike, që sipas saj, do të lëkundin edhe sigurinë në shtet.

Deri në publikimin e dëshmive, në opinion spekulohet për posedimin nga ana e opozitës të dëshmive mbi montimin apo presione ndaj gjykatësve për dënimin me burgim të përjeshtëm të gjashtë shqiptarëve në rastin “Monstra”, që vlerësohet si shumë misterioz, deri në vlerësimin se vrasja e pesë maqedonasve mund të jetë vepër e shërbimeve të caktuara sekrete.

Tito Petkovski, një nga liderët e opozitës, nuk përjashton mundësinë që pas publikimit të dëshmive, Bashkimi Demokratik për Integrim, që drejtohet nga Ali Ahmeti, të vendos largimin e saj nga qeveria.

“Mendoj se rruga më e shkurtër për rrëzimin e Gruevskit është Ahmeti. Braktisja e qeverisë nga ana e Ahmetit, nënkupton rrëzimin e Gruevskit, pasi politika e tij dhe e Ahmetit, sipas definicionit, janë politika nacionaliste dhe populiste. Nëse Ali Ahmeti do të ketë njohuri për mundësinë e rrëzimit të qëverisë, dhe se ai sërish të mbetet në pushtet, në këtë rast, besoj se tek ai do të mbisundojë ndjenja e orientimin nga këto forca që do të marrin përgjegjësinë ta udhëheqin shtetin”, thotë për Evropën e Lirë, Tito Petkovski.

Njohësit e çështjeve politike thonë se aktivitetet e viteve të fundit të koalicionit qeveritar janë zhvilluar në drejtim të përkeqësimit raporteve ndërentike, me qëllim të përfitimit politik, andaj sipas tyre, është normale që opozita të ketë arritur të siguroj dëshmi, të cilat deomos duhet të publikohen sa më parë.

“Kjo politikë ka ngritur në nivel të lartë alarmin për rrezikun nga një konflikt i mundshëm midis dy bashkësive të mëdha etnike, një konflikt që do të ishte më fatal dhe më shkatërrues se ai i vitit 2001. Pra, një “bombë” e tillë që do të shperthente në opinion dhe që do të prekte këto marrdhënëie, mendoj se pasojat do të ishin të pamenazhueshme”, thotë Xhelal Neziri, njohës i çështjeve politike.

Ai ka theksuar se opozita duhet të veproj me kujdes në publikimin e të dhënave për shkak të ndjeshmërisë ndërsa institutcionet të jenë në funskion të zbatimit të ligjit dhe me kohë dhe të arrestojnë të gjithë zyrtarët nëse dyshohet se janë përfshirë në krime të rënda.

Ndërkohë, sa i përket mundësisë së prishjes së raporteve në koalicionin qeveritar për shkak të kërcënimit të raporteve ndëretnike, Neziri nuk beson se Bashkimi Demokratik për Integrim, do të mbledhte fuqinë për të dalë nga qeveria.

“Unë mendoj se BDI-ja nuk ka kapacitet dhe nuk ka prekshmëri në realitetin që të vendos të dal nga qeveria edhe nëse kjo dosje që paralajmëron LDM-ja, është vërtetë një “bombë”. Pra, BDI-ja do të mendoj se është një çudi e cila pas tre ditëve do të kaloj dhe ato do të vazhdojnë të mbeten në pushtet. BDI-ja është parti që mund të ekzistoj vetëm në pushtet”, thotë Xhelal Neziri.

Nga ana tjetër, ka vlerësime se pas paralajmërimeve të këtilla të opozitës, e cila bojkoton Kuvendit, pushteti shumë shpejt mund ti përgjigjet me shpalljen e zgjedhjeve të pjesshme parlamentare, për të plotësuar vendet e tyre, të cilat janë boshe që nga zgjedhjet e prillit.

“Gjithmonë kur diçka do të jetë në favorin e tij, pushteti e zbaton me përpikmëri ligjin. Kështu mendoj se do të veproj edhe në këtë rast për ti dhënë një kahje krejt tjetër krizës politike. Veç kësaj, pushteti pret edhe lëvizjet që do të bëj opozita në ditët në vijim dhe çdo gabim qoftë edhe i vogël të saj, do ta shfrytëzoj andaj konsideroj se opozita nëse vërtetë posedon dëshmi duhe të jetë bindëse para opinionit gjatë prezantimit të tyre”, thotë analisti, Zdravko Savevski.

Jo zyrtarisht, bëhet e ditur se publikimi i dëshmive nga ana e opozitës do të bëhet deri në fund të vitit dhe deri atëherë ajo do të vazhdoj bojkotin e Kuvendit me pretendimin e argumentet e saj do të detyrojnë dorëheqjen e qeverisë dhe formimin e një qeverie teknike, e cila do të organizonte zgjedhje të parakohshme parlamentare.

XS
SM
MD
LG