Ndërlidhjet

Zonja e Parë e Afganistanit, ndryshe nga të tjerat


Rula Ghani
Rula Ghani

Kur presidenti i ri i Afganistanit, Ashraf Ghani, ka nderuar gruan e tij në fjalimin e inaugurimit, ai ka rritur shpresat se Zonja e Parë mund të luajë një rol të madh në jetën politike dhe shoqërore të Afganistanit.

Dy muaj më vonë, është e qartë se Rula Ghani nuk e ka ndërmend të qëndrojë në hijen e burrit të saj.

“Mendoj se si Zonjë e Parë kam përgjegjësinë të punoj për popullin e këtij vendi”, ka thënë ajo për Radion Evropa e Lirë.

Qëndrimi kategorik i Rula Ghanit dallon nga ai i Zonjave të tjera të Para në Afganistan, të cilat kanë munguar nga syri i publikut.

Gjatë gjithë dekadës në detyrë, ish-presidenti Hamid Karzai nuk është shfaqur kurrë në publik me gruan e tij.

Rula Ghani, libanezo-amerikane, po ashtu ka befasuar shumë afganë me deklaratat e saj për fuqizimin e grave, në një vend të njohur si njëri nga më të këqijtë në botë për të drejtat e grave.

“Gratë nuk respektohen ashtu siç duhet. Ato duhet të respektohen për çfarëdo roli që ndërmarrin, qoftë në shtëpi ose jashtë saj”, ka thënë Ghani.

Familja Ghani ka lënë Afganistanin në vitin 1977, një vit para se ka nisur lufta civile. Çifti ka jetuar në Shtetet e Bashkuara, ku Ashraf ka kryer doktoraturën për antropologji dhe ka nisur karrierën në Bankën Botërore, ndërsa Rula ka rritur dy fëmijët e tyre.

Familja është kthyer në Afganistan në vitin 2002, kur Ashraf është emëruar Ministër i Financave në Qeverinë e Karzait, e cila ka pasuar rrëzimin e talibanëve.

Pavarësisht kritikave për mungesën e gjatë të Ghanit në Afganistan, Rula beson se ajo mund të ndihmojë që të ringjallet stili i një jete më të lumtur, që afganët kanë gëzuar para luftës.

“Unë i kujtoj ato kohëra, u tregoj njerëzve se çfarë kam parë, se si janë trajtuar gratë, se si kemi kaluar kohën, se si i kemi bërë gjërat. Ndoshta kështu do të sjell disa informacione për njerëzit që kanë qenë ose shumë të rinj në atë kohë, ose kanë kaluar nëpër vështirësi dhe i kanë harruar ato”, thotë Rula Ghani.

Prej se është kthyer në Afganistan, ajo ka qenë vullnetare në një organizatë joqeveritare, e cila ndihmon fëmijët që punojnë në rrugë dhe familjet e tyre.

Por, statusi i saj i ri si Zonjë e Parë i ka shkaktuar kufizime të rrepta.

Ajo kryesisht qëndron në pallatin presidencial për arsye të sigurisë, çfarë do të thotë se nuk mund të vizitojë më kampet për persona të zhvendosur dhe ata që do t’i ndihmojë.

“Shpresoj të mund të arrij te ta edhe nga brenda mureve të pallatit”, është shprehur Ghani.

Edhe prapavija e krishterë i ka shkaktuar armiq në qarqet konservatore.

Deri më tash, ajo ka lënë anash çështjen e fesë, duke thënë se fëmijëria e saj në një familje të krishterë “nuk ka qenë faktor”.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG