Ndërlidhjet

Anëtarësimi i Kosovës në Nismën Rajonale për Migrim


Republika e Kosovës që nga viti 2012 ka aplikuar për anëtarësim në Nismën Rajonale për Migrim, Azil dhe Refugjatë e njohur më shkurtesën (MARRI).

Por ende zyrtarisht nuk është anëtarësuar përkundër insistimit të vazhdueshëm të Ministrisë së Punëve të Brendshme për të qenë pjesë e kësaj organizate.

Nisma Rajonale për Migrim, Azil dhe Refugjatë (MARRI), është formuar në vitin 2003, më qendër në Shkup. Misioni i kësaj nisme është që të kontribuojnë lëvizjen e rregullt dhe të lirë të njerëzve në interes të sigurisë në fushat e migrimit, azilit, kthimin e refugjateve dhe zgjidhjen e problemit të tyre.

Zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme pohojnë se kjo ministri në formë zyrtare ka kërkuar dhe ka aplikuar për anëtarësim në këtë nismë. Në adresë të MARRI-t, Behar Haziraj, zyrtarë i lartë për media në këtë ministri, për Radion Evropa e Lirë tha se zyrtarisht kërkesa është bërë në maj të vitit 2012 dhe e njëjta kërkesë është përsëritur në janar të vitit 2013.

“Në konferencën ministrore të mbajtur më datë 10 qershor 2014 në Cavtat të Kroacisë , shtetet anëtare të MARRI-t me unanimitet kanë aprovuar deklaratën përmes së cilës mirëpresin pjesëmarrjen e Kosovës në aktivitetet e MARRI-it, por ende zyrtarisht nuk është njoftuar përkundër insistimit tonë të vazhdueshëm për të qenë pjesë e kësaj organizate”, thotë Haziraj.

Shtetet anëtare në këtë nismë janë Shqipëria, Kroacia, Bosnja Hercegovina, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia.

Sidoqoftë, njohës të kësaj çështje e konsiderojnë të nevojshëm anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë. Elbasan Morina, udhëheqës i organizatës joqeveritare Instituti për Menaxhim dhe Zhvillim, organizatë kjo që ka përgatitur disa projekte për diasporën, thotë se duke marrë parasysh faktin se shumë qytetarë të Kosovës janë të interesuar të braktisin Kosovën, anëtarësimi i Republikës se Kosovës është i domosdoshëm.

"Nuk i di arsyet pse Kosova nuk është pjesë e kësaj iniciative, por si iniciativë rajonale është e nevojshme që Kosova të shkëmbejë informacione lidhur më migrimin ilegal, azilin kontrollin e brendshëm të kufijve, aeroportet e gjëra të tjera".

"Mos përfshirja e Kosovës , është hendikep për institucionet e Kosovës , për shkak se nuk mund të marrin informacione të sakta rreth zhvillimeve rajonale rreth migrimit, terrorizimit dhe çështjeve tjera që mund të kenë ndikim në proceset e brendshme të vendit”, tha Morina për Radion Evropa e Lirë

Nisma Rajonale për Migrim, Azil dhe Refugjatëtrajton çështjet e bashkëpunimit rajonal në fushën e menaxhimit të kufirit dhe migracionit.

Duke qenë se kjo është ndër fushat kryesore edhe në kapitullin 24 të legjislacionit të Bashkimit Evropian, sipas zyrtarëve të Ministrisë se Punëve të Brendshme, Kosova do të përfitonte nga anëtarësimi në këtë organizatë si mekanizëm për të shkëmbyer përvojat më të mira dhe për të ndjekur qasje të përbashkët rajonale për çështjet të cilat ndërlidhen me menaxhimin e kufirit dhe migracionit.

XS
SM
MD
LG