Ndërlidhjet

Serbi: Këshilli Kombëtar Rom kërkon masa ndaj afisheve antirome


Pamje nga një pjesë e Beogradit
Pamje nga një pjesë e Beogradit

Këshilli Kombëtar Rom në Serbi i ka dënuar sot afishet me përmbajtje antirome të organizatës ekstremiste, Aksioni Serb, në të cilat romët fajësohen për çdo gjë negative që ka ndodhur në Serbi, dhe në të cilat bëhet thirrje për dhunë kundër bashkësisë rome.

Kryetari i Këshillit Kombëtar Rom, Vitomir Mihajlloviq, ka theksuar se paraqitja e afisheve të tilla është e turpshme dhe paraqet ofendim të madh për të gjithë romët.

“E dënoj këtë veprim, ku bëhet thirrje për vrasje të të gjithë romëve”, tha Mihajlloviq dhe ka shtuar se “afishet paraqesin porosi të qartë se romët i pongojnë dikujt dhe se janë të rrezikuar”.

Sipas tij, romët është më së lehti të fajësohen, pasi janë të pambrojtur, raporton Beta.

“U lutemi organeve shtetërore, që të ndërmarrin masa përkatëse kundër autorëve dhe t’i dënojnë, e po ashtu i lusim të gjithë qytetarët e ndershëm të Serbisë, që ta dënojnë këtë akt të nacionalizmit ekstrem, nazizmit dhe fashizmit”, tha Vitomir Mihajlloviq.

Mediat kanë raportua se në kutitë postare në Beograd janë hedhur afishe me nënshkrimin e organizatës, Aksioni Serb, në të cilat bëhet thirrje për dhunë kundër romëve.

XS
SM
MD
LG