Ndërlidhjet

logo-print

PDK - LDK ndajnë postet dhe përgjegjësitë


Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës

Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës janë në fazën finale të përcaktimit të programit qeverisës dhe ndarjes së përgjegjësive.

Kryetari i Lidhjes Demokratike, Isa Mustafa ka thënë të hënën se marrëveshja është afër finalizimit dhe pritet publikimi i saj.

Ai ka përsëritur se LDK do të merr postin e kryeministrit, në të kundërtën, nuk e sheh të mundshëm vazhdimin e koalicionit më PDK-në.

"Ne jemi deklaruar edhe në Këshillin e Përgjithshëm të LDK-së se nuk do të bëjmë marrëveshje me askënd, në qoftë se LDK-ja nuk e ka pozicionin e kryeministrit”, ka thënë Mustafa.

Ndërsa pritet që marrëveshja e detajuar për bashkëqeverisje të bëhet publike para seancës konstituive të Kuvendit, që do të mbahet më 8 dhjetor, çështje diskutabaile mbetet se a do të përfshihet në këtë marrëveshje edhe pozita e presidentit të ardhshëm të Kosovës.

Analisti politik, Imer Mushkolaj thotë se nëse lideri i LDK-së, Isa Mustafa do të ishte kryeministër i ardhshëm i Kosovës, atëherë sipas tij, është e pritshme që qysh tash të dihet edhe fati politik i liderit të PDK-së, Hashim Thaçi.

"Nëse tashmë është vendosur që postin e kryeministrit ta merr zoti Mustafa, mendoj se do të duhet që njëkohësisht të dihet edhe për fatin politik të zotit Thaçi. Askush nuk e mendon se ai mund të qëndrojë 2 vjet jashtë pozitave, gjegjësisht pa përgjegjësi politike, kështu që mendoj se kjo zvarritje ka të bëjë edhe me këtë çështje", ka deklaruar Mushkolaj për Radion Evropa e Lirë.

Në kalkulimet e bëra, analistët kishin theksuar se Hashim Thaçi mund të jetë kandidat i përbashkët e PDK-së dhe LDK-së për postin e presidentit të Kosovës.

Mirëpo, presidentja aktuale Atifete Jahjaga ka mandat deri në mesin e vitit 2016.

Petrit Zogaj nga Lëvizja Fol mendon se përfshirja e postit të presidentit në pazarin politik ndërmjet PDK-së dhe LDK-së do t'i jepte një dimension tjetër marrëveshjes.

"Nuk do të doja ta shihja që brenda marrëveshjes të futej edhe posti i presidentit, për shkak se kjo do të tregonte që kemi të bëjmë me marrëveshje për ndarje të posteve dhe jo marrëveshje për qeverisje. Nuk do të ishte e drejtë që qysh tash të parashikohej se kush do të ishte president pas një viti e gjysmë", ka theksuar Zogaj në një prononcim për Radion Evropa e Lirë.

Koalicioni i dy partive më të mëdha në Kosovë, po shihet nga analistët si një mundësi për një qeverisje më të fuqishme gjatë mandatit të ardhshëm.

Një theks të veçantë, ky koalicion besohet se do t'i kushtojë zbatimit të obligimeve ndërkombëtare që i ka marrë përsipër Kosova.

Petrit Zogaj thotë se vazhdimi i dialogut me Beogradin dhe themelimi i Gjykatës Speciale, pritet të jenë hapat e parë të qeverisjes PDK - LDK.

"Besoj që nuk ka rrugë tjetër pos që ky koalicion t'i përshpejtoj procedurat për themelimin e Gjykatës Speciale dhe potencialisht të nisin hetimet apo edhe arrestimet për krime të luftës. Gjykata Speciale do të jetë ndër punët e para, pos dialogut me Serbinë që ky koalicion dhe këto parti politike do të merren vesh", ka deklaruar Zogaj.

Në anën tjetër, Imer Mushkolaj thotë se qeveria e ardhshme do të ndodhet në një presion të dyfishtë, si nga faktori ndërkombëtar rreth pritjeve të tyre ashtu edhe nga qytetarët e Kosovës të cilët do të kërkojnë vende të reja të punës, marrë parasysh gjendjen gjithnjë e më të rëndë sociale në vend.

"Krahas plotësimit të kërkesave ndërkombëtare për themelimin e Gjykatës Speciale dhe vazhdimit të dialogut me Beogradin, mendoj se njerëzit këtu presin që ky koalicion të bëj më shumë në zhvillimin ekonomik dhe në hapjen e vendeve të reja të punës. Ne i dimë edhe shifrat marramendëse që këto parti politike i kanë premtuar gjatë fushatës zgjedhore", ka thënë Mushkolaj.

Koalicioni PDK - LDK pritet të formalizohet më një marrëveshje me shkrim dhe më pas do të kërkohet miratimin nga Kuvendi i Kosovës.

Në këtë koalicion, pritet të përfshihen edhe pakicat si kategori kushtetuese.

  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG