Ndërlidhjet

logo-print

Gjatë këtij viti në Kosovë, janë regjistruar shtatë raste të reja të prekura me virusin HIV.

Autoritete kompetente shëndetësore konsiderojnë se numri i rasteve të prekura më virusin HIV, nuk është i madh, por rreziku për rritje të numrit ekziston.

Drejtori i departamentit për informim në Ministrinë e Shëndetësisë, Faik Hoti, tha për Radion Evropa e Lirë, se ministria dhe mekanizmat e tjerë që kanë për qëllim luftën kundër kësaj sëmundjeje po angazhohen maksimalisht.

“Për sivjet është raportuar të jenë të regjistruar 7 raste, për fat të mirë asnjë rast nuk ka përfunduar fatalisht. Kurse, pacientët që trajtohen në Klinikën Infektive me anti - retroviral janë gjithsej 14”, tha Hoti.

Inflektologu Izet Sadiku, i cili punon në Kliniken Infektiv të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës tha për Radion Evropa e Lirë se aktualisht problemet me të mëdha lidhur me personat që janë të prekur me këtë virus është mungesa e terapisë dhe moskryerja e analizave në Kosovë.

“Ne kemi pasur një mungesë të terapisë dy herë që nga vitit 2005, do të thotë është vonuar ardhja e terapisë, nuk është bërë blerja me kohë dhe kjo ka ndikuar që pacientët mos të marrin terapi dhe kjo ndikon në gjendje e përgjithshëm të atyre pacientëve. Dhe problemi tjetër është se nuk është i kompletuar mekanizimin e realizimit të të gjitha analizave në Kosovë, pra një pjesë e analizave bëhet jashtë Kosovës”, tha Sadiku.

Sipas të dhënave nga Ministria e Shëndetësisë, Kosova numëron 97 persona të prekur nga kjo sëmundje, që nga viti 1986, kur edhe është identifikuar rasti i parë.

Skender Syla, udhëheqës i Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Kosovë, tha se Kosova dhe qytetarët e saj kanë nevoje për më shumë informata për ketë sëmundje.

“Është një shqetësim për të gjithë ne se ndoshta duhet të ndryshojmë diçka me strategjitë tona sa i takon trajtimit - edukimit shëndetësor apo fushatave në mënyrë që opinioni i gjerë publik apo popullata të njohët me elementet kryesore dhe të përmirësohen qëndrimet e tyre sa i takon këtyre personave”, tha Syla, deri sa ka marrë pjesë në një tryeze diskutimi ku është biseduar për HIV/ AIDS.

Alban Gjonbalaj, nga Asociacioni Kosovar i Personave që jetojnë me HIV, tha për Radion Evropa e Lirë se problemi me të cilin ballafaqohen ata persona është mungesa e herëpashershme e terapisë.

“(Terapia), vonohet me 5 muaj, 4 muaj, vitin e kaluar ka qenë me shtatë muaj. Tash kemi vonesa me nga tre muaj”, tha Gjonbalaj.

HIV-i mund të transmetohet nëpërmjet shkëmbimit të lëngjeve të ndryshme trupore nga individët e infektuar.

Individët nuk mund të infektohen me kontakte të zakonshme, si puthja, përqafimi, shtrëngimi i duarve etj.

Arjanit Binaku student në Fakultetin Filologjik, konsideron se i di të gjitha mënyrat se si një person mund të infektohet me këtë virus.

“Kjo sëmundje mund të transmetohet përmes marrëdhënieveseksuale, përmes gjakut, etj”, tha Binaku.

Sipas përfaqësuesve shëndetësor në Prishtinë, Kosova konsiderohet si vend me prevalencë të ulët sa i përket HIV/AIDS-it, por faktorët e rrezikut - trafikimi me qenie njerëzore, përdorimi i drogave intravenoze dhe sjelljet e rrezikshme - janë të pranishëm.

  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG