Ndërlidhjet

Maqedoni: Të ardhurat e vogla, jeta e shtrenjtë


Sipas të dhënave të fundit të Entit Shtetëror të Statistikave të Maqedonisë, rreth 40 për qind e qytetarëve të Maqedonisë, me shumë vështirësi arrijnë të shlyejnë borxhet e faturave të amvisërisë ose kanë të vështirë të paguajnë këstet e kredive.

Një pjesë e madhe e qytetarëve thonë se kursimet në masë të theksuar si në ushqim ashtu edhe veshmbathje në buxhetin familjarë nuk sjellin kurrfarë dobie për të pasur një muaj të balancuar mes të ardhurave dhe harxhimeve për gjërat më elementare.

“Po është papunësi e madhe, njerëzit rroga nuk kanë nuk e di se nga do t`i marrin paratë për të paguar faturat të cilat jo që janë të larta po katastrofë janë të larta krahasuar me ekonominë e cila është këtu në Shkup”, thotë Vexhi Ademi, qytetar.

Edhe Lutfiu, i cili është pensionist, thotë se në banesë ka mundësi të ngrohet vetëm me rrymë dhe faturat bëhen të papërballueshme, veçanërsisht gjatë dimrit.

“Nuk mund t'i paguaj faturat me pensionin tim si të ardhurën të vetme në familjen time, do i lë faturat pa paguar, s'kam çfarë bëj, asnjëri nga djem nuk është në punë”, thotë ai.

Nga ana tjetër, Nikolla Avramovski pensionist, thotë se ka pagur një këst të kredisë së vajzës, sepse ajo nuk arrin që me rogën e saj si shitëse në dyqanin e këpucëvetë ushqejë, veshëmbath dhe shkollojë dy fëmijët që i ka në studime.

“Po ata të cilët jetojnë me një rrogë të vetme e kanë shumë vështirë që të përballojnë pagesën e faturave në njërën anë dhe në anën tjetër të sigurojnë gjërat më elementare për ushqim. Vërtetë më duhet ta ndihmoj vajzën time me këtë pension të vogël, sepse rroga e saj mezi del për ushqim”, thekson Avramovski.

Nga ana tjetër, ekonomistët theksojnë se fuqia blerëse në Maqedoni, e cila është gjithnjë e më e dobët, në formë të drejtpërdrejtë ndikon në rritjen e çmimeve.

“Duke mos pasur një ekonomi të fortë lokale, në mungesë të një strategjie të qartë eksportuese rezultatet e së cilës do të konvertoheshin në vende të reja të punës, duke siguruar një standard më të lartë për qytetarët është më se e qartë se karta reale e Maqedonisë tregon se ne varfërohemi gjithnjë e më shumë ngase ekonomia e vendit kryekëput është është e varur nga importi me atë që edhe standardit jetësorë do të jetë gjithnjë e më i ulët”, thekson Visar Ademi, ekspert i ekonomisë.

Ndryshe, sipas kritereve evropiane, konsiderohen të varfër ata qytetarë të cilët nuk arrijnë të paguajnë në kohë qiranë, faturat e amvisërisë, këstet e kredive si dhe të konsumojnë ushqim të shëndetshëm të paktën çdo të dytën ditë.

Njëherësh, në gjendje të mjerueshme konsiderohen dhe ata qytetarë të cilët nuk kanë mundësi të sigurojnë të paktën një javë pushim larg shtëpisë për veten dhe familjen e tyre si dhe të kenë mjete për mirëmbajtjen e automobilit etj.

Por sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave, mbi 73 për qind e qytetarëve të Maqedonisë, përkatësisht 1.5 milion nuk kanë mundur të sigurojnë mjete për një javë pushim jashtë shtëpive të tyre që, do thotë se tre të katërtat e qytetarëve të vendit nuk shkojnë në pushime asnjëherë brenda vitit.

XS
SM
MD
LG