Ndërlidhjet

Moldavi: Partitë pro-evropiane në konsultime për koalicion

  • RFE /RL

Partitë pro-evropiane të Moldavisë i kanë filluar konsultimet për formimin e koalicionit qeverisës, derisa rezultatet gati përfundimtare tregojnë se ato janë në pozitë të fuqishme.

Pas 97% të fletëvotimeve të numëruara, Partia Demokratike Liberale, ka 19.74%, partia Demokratike, ka fituar 15.94%, ndërsa Partia Liberale, qëndron në kuotën 9.45%, që gjithsej arrin në 45.13%.

Kjo do të jetë e mjaftueshme për të pasur shumicën e thjeshtë, prej 54 deputetësh në Parlamentin me 101 vende, nëse partitë arrijnë pajtueshmëri. Në të kaluarën ato kanë pasur mospajtime dhe, rrjedhimisht, priten negociata të vështira.

Nga ana tjetër, Partia Socialiste pro-ruse, ka fituar më së shumti vota, gjithsej 20.93%, dhe komunistët pak më të moderuar, kanë tubuar 17.85%, që së bashku paraqet 38.8%.

Dalja në zgjedhjet e 30 nëntorit ishte 56%.

Sikur edhe në zgjedhjet e mëparshme, rajoni separatist i Transdniestrisë, i mbështetur nga Rusia, nuk ka marrë pjesë në zgjedhje.

Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, e njohur me shkurtesën OSBE, tha se zgjedhjet “përgjithësisht ishin mirë të administruara” dhe se shtetasit e Moldavisë “votuan lirisht dhe në mënyrë të denjë”.

“Konkluzioni ynë i përgjithshëm ishte se zgjedhjet u ofruan votuesve zgjidhje të gjerë të alternativave politike. Fushata ishte e ndikuar nga aspiratat gjeopolitike të vendit dhe çregjistrimi i vonshëm i një pjesëmarrësi në zgjedhje, që është partia Patria, i ka shtruar pyetjet lidhur me momentin dhe rrethanat”, tha Emin Onen, udhëheqës i Misionit vëzhgues të OSBE-së në Moldavi.

Ai theksoi se gjatë fushatës zgjedhore shumica e mediave i ishin nënshtruar ndërhyrjeve politike.

Garuesit patën qasje të papenguara në media. Megjithatë, shumica e mediave, me pak përjashtime, përfshirë edhe transmetuesin publik, ishin subjekt i ndërhyrjeve politike”, tha Onen.

Vlad Filat, lider i Partisë Demokratike Liberale, tha se bisedimet me dy partitë e tjera pro-evropiane tashmë kanë filluar. Pasi theksoi se në zgjedhjet e këtij viti, partitë pro-evropiane fituan katër e deri në pesë mandate më pak se në zgjedhjet e kaluara, ai ka shfaqur shpresën se mund të formohet koalicioni.

“Besoj se rezultati është arritur me meritë dhe na lejon që ta krijojmë skeletin e koalicionit pro-evropian”, tha Vlad Filat.

Marian Lupu, lider i Partisë Demokratike tha se “Moldavia e vazhdon rrugën e saj pro-evropiane”.

Por, lideri i Partisë Socialiste pro-ruse, Igor Dodon, ka premtuar vazhdimin e qëndrimit anti-perëndimor të linjës së fortë.

“Gjëja e parë për të cilën do ta kërkoj nga përbërja e re e parlamentit, do të jetë tërheqja e Marrëveshjes së Asociimit me Bashkimin Evropian dhe për ta përcaktuar datën për referendum kombëtar për anëtarësim në Unionin Doganor”, tha Igor Dodon.

Ky union udhëhiqet nga Rusia.

Zoti Dodon nuk e ka përjashtuar mundësinë e koalicionit me komunistët.

Rezultati i mirë i papritur i socialistëve pro-rusë, mund të jetë ndikim i përjashtimit të partisë Patria (që do të thotë Atdheu), për shkak të financimit ilegal nga jashtë.

Lideri i kësaj partie i ka hedhur poshtë akuzat dhe ka shkuar në Rusi.

Patria, sikur edhe socialistët, e favorizon anëtarësinë në Unionin Doganor, që është mjeti kryesor i presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, në përpjekjet e tij për forcimin e marrëdhënieve me ish-vendet sovjetike, për ta kundërshtuar ndikimin perëndimor në rajon.

Partia Komuniste, me liderin e saj, Vladimir Voronin, ish-president për një kohë të gjatë, të cilin brezat e vjetër e identifikojnë me stabilitetin në të kaluarën, insiston se komunistët nuk e kundërshtojnë integrimin në Bashkimin Evropian.

Por, ata bëjnë thirrje për marrëdhënie të mira me Moskën dhe për rishqyrtim të pjesës tregtare të marrëveshjes me BE-në, duke thënë se Moldavia duhet t’i mbrojë më mirë prodhuesit vendës.

Demokratët liberalë dhe demokratët, janë pjesë e koalicionit pro-evropian, që e ka udhëhequr qeverinë e Moldavisë prej vitit 2009 dhe ka arritur ta nënshkruaj Marrëveshjen për Asociim me BE-në, në muajin qershor.

Vitin e kaluar, pjesëtarët e Partisë Liberale, u larguan nga koalicioni dhe dolën në opozitë.

Rusia ka treguar pakënaqësi me agjendën pro-evropiane të qeverisë së Moldavisë, duke e ndalur importin e prodhimeve bujqësore të Moldavisë, që e ka dëmtuar rëndë ekonominë e Moldavisë.

Moska, po ashtu, i ka bërë thirrje Kishinevit që ta shtyjë implemtimin e pjesës tregtare të marrëveshjes me BE-në, duke thënë se ka shqetësime se depërtimi i mallrave të lira evropiane mund t’i dëmtojnë prodhuesit rusë.

Moldavia e bllokuar, dhe njëri nga vendet më të varfra të Evropës, në kufi e ka Ukrainën dhe Rumaninë, që është anëtare e BE-së.

Afro 78% e popullatës janë rumunë etnikë, derisa ukrainasit dhe rusët llogariten se përbëjnë afro 14%.

Pjesën më të madhe të një periudhe të mëparshme, Moldavia ishte pjesë e Rumanisë, para se të aneksohej nga ish-Bashkimi Sovjetik gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Pjesa më e madhe e popullatës në rajonin Transdniestër është rusishtfolëse. Ky rajon, në vitin 1990 u shkëput nga Moldavia, për shkak të frikës se Moldavia do të mund të kërkonte ribashkim me Rumaninë.

Kjo ka shkaktuar një luftë të shkurtër në verë të vitit 1992, me ç’rast ishin vrarë afro 1 mijë vetë dhe kishte përfunduar me ndërhyrjen e trupave të Rusisë në anën e separatistëve. Afro 1 mijë ushtarë rusë janë ende të vendosur në Transdniestri.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG