Ndërlidhjet

Personat me nevoja të veçanta, pa kujdes institucional


Arion Krasniqi gjatë orëve të mësimit.
Arion Krasniqi gjatë orëve të mësimit.

Vështirësitë me të cilat ballafaqohen personat me nevoja të veçanta në përgjithësi në jetën shoqërore, ekonomike, shëndetësore, infrastrukturore, të punësimit dhe të arsimimit, janë të shumta.

Sipas organizatave që merren me të drejtat e kësaj kategorie të shoqërisë, thuhet se rreth dhjetë për qind e popullatës së përgjithshme në Kosovë janë me me nevoja të veçanta.

Në ditën ndërkombëtare për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara, kryetari i organizatës Hendikos, Afrim Maliqi, ka thënë se madje në mungesë të ofrimit të shërbimeve të duhura shëndetësore, shumë njerëz me nevoja të veçanta vdesin.

"Shërbimet shëndetësore të nevojshme nuk ofrohen, po ashtu edhe mbulimi me medikamente të nevojshme e që është më se e domosdoshme për t'i mbajtur ne jetë këta persona. Viteve të fundit personat me aftësi të kufizuara ballafaqohen me situata shumë të rënda shëndetësore, dhe si pasojë e komplikimeve ata vdesin në mungesë të ofrimit të shërbimeve shëndetësore , si dhe në mungesë medikamentesh të nevojshme", ka shtuar Maliqi.

Ndërkaq Bujar Kadriu, kryetar i ‘’Forumit Kosovar të Aftësive të Kufizuara’’, i ka thënë Radios Evropa e Lirë, se edhe përkundër asaj se Kosova ka ligje për mbrojtjen e kësaj kategorie të shoqërisë, ato nuk po gjejnë zbatim.

"Kosova ka ligje shumë të mira për personat me aftësi të kufizuara , por ato nuk zbatohen.Këto ligje nuk e përmirësojnë jetën e këtyre personave dhe automatikisht me mos zbatueshmëri të ligjeve shkelen edhe të drejtat e kësaj kategorie të shoqërisë. Ne kemi një strategji 2013 -2023, si dhe plani i veprimit 2013-2016, dhe këto dokumente nuk e kanë gjetë një zbatueshmëri të plotë me qëllim të reflektimit pozitiv për personat me aftësi të kufizuara", është shprehur Kadriu.

Në anën tjetër, Afrim Maliqi ka shtuar se sa i përket përkrahjes institucionale, ajo mungon.

"Përkrahja institucionale mungon, dhe këtë e them me plot përgjegjësi, sidomos në nivelin qendror. Ndërkaq në nivelin komunal, pasi që organizata Hendikos shtrihet në gjithë komunat e Kosovës, kemi disa indikacione pozitive, ku këto komuna na kanë mbështetur financiarisht, derisa më pastaj ne si organizatë të merremi me këtë kategori të shoqërisë dhe t'u ofrojmë shërbimet e duhura si të rriturve po ashtu edhe fëmijëve".

Bujar Kadriu, ka thënë se Kosova nuk është ratifikues i konventës së OKB -së për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara, derisa ka shtuar se një gjë e tillë duhet të ndodhë.

"Kjo konventë si një instrument cili ka dalë nga asambleja e përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, Kosova duhet ta ratifikojë dhe të jetë pjesë e aktivitetit dhe mendimit të saj. Të gjitha shtetet e rajonit e kanë ratifikuar dhe e kanë nënshkruar këtë dokument të rëndësishëm".

"Ne e dimë që Kosova ende nuk është anëtare e Kombeve të Bashkuara, por kjo nuk e pengon që kjo konventë të jetë e aplikueshme në Kosovë, pasi që ky dokument të jetë në harmoni me legjislacionin e Kosovës dhe legjislacionin e BE-së", ka theksuar Kadriu.

XS
SM
MD
LG