Ndërlidhjet

Faturat e energjisë elektrike nga janari i vitit të ardhshëm nuk do të vijnë më me mbishkrimin e Distribucionit për Furnizim me Energji Elektrike, i njohur më shkurtesën KEDS, pasi Zyra e Rregullatorit të Energjisë po i transferon licencat për furnizim të energjisë në Kompaninë Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike, më shkurtesën KES/CO.

Me këtë vendim ligjërisht themelohen dy subjekte juridike, KEDS (shpërndarje) dhe KESC (furnizim), që ndër të tjera nënkupton edhe shthurjen financiare, thonë zyrtarë të Zyrës së Rregullatorit për Energji.

Adelina Murtezaj, zëdhënëse për media në këtë zyre, për Radion Evropa e Lirë ka thënë se shthurja ligjore është e nevojshme që të eliminohen subvencionet e tërthorta ndërmjet aktiviteteve të shpërndarjes dhe furnizimit publik.

Duke u bazuar në ligjet në fuqi, ajo thotë se Zyra e Rregullatorit për Energji ka përgatitur dhe i ka dërguar KEDS-it një udhëzues i cili udhëzon për hapat që duhet ndërmarr në përmbushjen e këtyre obligimeve.

Po ashtu, udhëzuesi përcakton se shthurja duhet të finalizohet deri më një janar të vitit 2015.

Kjo ndarje apo shthurje e kompanisë, përveç që do të eliminojë subvencionimet e tërthorta ndërmjet aktiviteteve, po ashtu ndihmon Rregullatorin në përcaktimin më të saktë të kostove të nevojshme për të dy operatorët dhe në monitorimin e realizimit të këtyre kostove për të gjitha aktivitetet që kryejnë këta operatorë në raport me ofrimin e shërbimeve sa më të mira për konsumatorët”, tha Murtezaj.

Ndryshe, ekspertët e çështjeve energjetike, thonë se reformat administrative në sektorin energjetik janë konform rregulloreve të Bashkimit Evropian dhe ligjeve ekzistuese në Kosovë për sektorin energjetik.

Ethem Çeku, ish ministër i Energjisë, për Radion Evropa e Lirë tha se me ndarjen e kësaj njësie, mundësohet hyrja e operatorëve tjerë ndërkombëtar për furnizim me energji në tregun kosovar.

“Tani kanë të drejtë të konkurrojnë në tregun e brendshëm edhe furnizues të tjerë nga vendet e ndryshme të rajonit. Por, pyetja është se ku do të merret energjia elektrike. Ne nuk kemi furnizues të brendshëm, sepse nuk kemi zhvillim të kapaciteteve të reja energjetike kështu që gjitha burimet tona financiare do të alokohen jashtë Kosovës me furnizues të ndryshëm që vijnë në garë në Kosovë”, tha Çeku.

Megjithatë në njoftimin e KEDS-it thuhet se ky tranzicion nuk do të rezultojë në asnjë ndryshim material sa i përket faturimit, pagesës, borxhit ose praktikave për shërbim të konsumatorëve.

Ky ndryshim, madje thuhet se ka për qëllim të rezultojë në operim më efikas të Sektorit të Energjisë Elektrike si dhe të çojë përpara ekonominë e Kosovës.

Ndryshe, para dy vjetësh, autoritetet e Kosovës kanë nënshkruar kontratën me konzorciumin Çalik&Limak për shitblerjen e Distribucionit dhe Furnizimit të Korporatës Energjetike të Kosovës.

Kjo kompani këtë distribucion e ka blerë në vlerë prej 26.3 milionë eurosh.

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG