Ndërlidhjet

"Rrjedha e Jugut" godet Maqedoninë


Rafineria e naftës Gazprom, në Moskë
Rafineria e naftës Gazprom, në Moskë

Njoftimet për dështimin e projektit për ndërtimin e tubacionit të gazit “Rrjedha Jugore“, do të godas shumë Maqedoninë në planin ekonomik, për shkak të projekteve të shumta të qeverisë për përdorimin e gazit, jo vetëm për bizneset, por edhe për amvisëritë.

Maqedonia në vitin 2014, kishte nënshkruar në Moskë një marrëveshje me kompaninë ruse Gazprom, për kyçjen e vendit në tubacionin që ishte paraparë të kalonte nëpër Bullgari, por kjo marrëveshje ishte kontestuar në vazhdimësi, jo vetëm nga ekspertët, por edhe nga Bashkësia Evropiane e Energjetikës, e cila kishte vlerësuar se bëhet fjalë për marrëveshje që do të ketë një kosto të lartë për qytetarët, por edhe për faktin se marrëveshja duhet të ratifikohet nga kjo Bashkësi, pas anëtarësimit të Maqedonisë në Bashkimin Evropian.

Institucionet nuk kanë marrë asnjeherë në konsideratë rekomandimet e tilla ndërsa kishin paralajmëruar në vazhdimësi se Maqedonia brenda 10 viteve do të jetë në tërësi e gazifikuar.

“Kjo kokëfortësi e bartësve të funksioneve publike dhe udhëheqësve të politikave ekonomike në Maqedoni, rezulton me dështim pas dështimi. Vetëbesimi i tepruar, pa analiza dhe pa i marrë në konsideratë sygjerimet e Komisionit Evropian, përfundojnë me dështime edhe në sferën e energjetikës".

"Mendoj se nevojitet një koalicion më i gjerë në mes të ekspertëve dhe politikëbërsëve në atë mënyrë që të mos arrijmë tek dështimet e këtilla, që Maqedonia të ketë qasje në resurset e këtilla shumë të nevojshme për shtetin“, thotë Izet Zeqiri, njohës i çështjeve ekonomike dhe profesor në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, duke shtuar se pasojat nga një dështim i tillë do të jenë evidente.

“Dështimi do të ndikoj në biznes, në zhvillimin e komunitetit të biznesit, vën në pikëpyetje edhe rrjetin e shpërndarjes së gazit nëpër qytete, që ishte një projekt i Qeverisë së Maqedonisë i paraparë të realizohet në vitet 2015-2016".

"Dështimi i tij do t'i pamundësoj qytetarët që të zëvendësojnë energjinë elektrike dhe lëndët djegëse me gazin, që do të një kosto me të ulët prej 50-60 pë qind“, thekson Zeqiri.

Atanas Tunevski, njohës i çështjeve të energjetikës thotë se Maqedonia në bisedimet për kyçjen në tubacionin e “Rrjedhës Jugore“, ishte kyçur në fazën e fundit, por gabimi sipas tij qëndron në atë se nuk janë parë edhe alternativa tjera.

“Me Rrjedhën Jugore, ne nuk kemi nisur që në fillim, por atëherë kur projekti ishte në fazën serioze të debateve për ndërtimin e tij. Tani kur ky projekt po shkon drejt dështimit të plotë, kam frikë se ne nuk kemi alternativa, apo se nuk kemi negociata për kyçjen e vendit në gazsjellësin në afërsi të vendit tonë".

"Me rëndësi ështrë që Maqedonia të gjejë gaz. Duhet të veprohet në dy drejtime, njëri për lidhjen fizike me ndonjë rrjedhë të gazit dhe së dyti sigurimin e tij në forma tjera, ashtu siç është vepruar në raste të ndryshme“, thotë Tuneski.

Ndërkohë, Konstantin Dimitrov, njohës i çështjeve ekononike, nuk beson në dështimin projektit të Rrjedhës Jugore.

“Unë nuk besoj në dështimin e tij, ndoshta do të vonohet për një vit deri në qetësimin e situatës. Maqedonia nuk është varur vetëm se nga Rrjedha Jugore, ajo posedon gaz për disa vite. Besoj se deri në vitin 2019 apo 2020 do të përfundoj edhe projekti tjetër trans-adriatik në të cilin Maqedonia mund të kyçet“, thotë Dimitrov.

Dështimi i tubacionit “Rrjedha Jugore“, u paralajmërua nga Presidenti rus Vladimir Putin, nëse Bashkimi Evropian është kundër tij, por edhe për shkak të kundërshtimit të Bullgarisë. Putin pas takimit në Ankara me Presidentin turk Rexhep Taip Erdogan, ka thënë se në vend të “Rrjedhës Jugore“, Rusia dhe Turqia mund të ndërtojnë një qendër të gazit për Evropën Jugore.

XS
SM
MD
LG