Ndërlidhjet

Maqedoni: Vazhdon jo-sistemimi i administratorëve shqiptarë


Shkup

Shkup

Një konkurs i hapur nga qeveria për punësimin e rreth 200 administratorëve të rinj shqiptar, apo nënpunësve që punojnë nëpër ministri të ndryshme, drejtori e agjenci shtetërore, sërish ka ngritur debatet mbi përfaqësimin e shqiptarëve në institucione, në veçanti për qindra të tjerë të cilët janë pranuar, madje edhe tre apo katër vite më parë, marrin paga, por që ende nuk janë sistemuar.

Nga qeveria thonë se procesi i sistemimit të tyre është në rrjedhë e sipër, por pa treguar se për sa persona bëhet fjalë ndërsa konkursin e ri e arsyetojmë me planet e qeverisë për realizimin e përfaqësimit të drejtë.

Duke iu referuar të dhënave të vitit 2013, përqindja e shqiptarëve në institucionet shtetërore është 18.1%, por dinamika e rritjes për të përmbushur shifrat prej së paku 25%, ngadalësohet çdo vit për shkak të punësimeve të vazhdueshme të maqedonasve.

Sipas njohësve të çështjeve politike, kjo edhe një herë dëshmon se partitë gjithçka po bëjnë për përfitime politike.

Fejzi Hajdari, botues i të përditshëm “Lajm”, thotë se përfaqësimi duhet të rritet, por është absurde që të shpallen konkurse në kohën kur mijëra të tjerë ende nuk janë sistemuar, apo paralelisht me punësimet e shqiptarëve vazhdojnë edhe punësimet e maqedonasve.

“Më duket shumë absurde sepse ka dy procese diametralisht të kundërta. Derisa ndërkombëtarët insistojnë që administrata shtetërore të reduktohet, partitë që janë në pushtet insistojnë që me këmbëngulje të rekrutojnë, respektivisht të punësojnë administrator të rinj që në një mënyrë edhe paralajmërojnë zgjedhje të reja".

"E gjithë kjo ndodhë në momentin kur rreth dy mijë administratorë ende presin, dmth janë të punësuar, por nuk kanë vende pune. Është një situatë shumë absurde andaj konsideroj se administrata shtetërore është bërë karrem më i mirë për të joshur qytetarët për të votuar këtë qeveri”, thotë Hajdari.

Albert Musliu analist, thotë partitë bëjnë gara se kush punëson më shumë ndërkohë që mos sistemimi i shqiptarëve është edhe rezultat i disa institucioneve që hezitojnë përmes formave të ndryshme të pranojnë shqiptarët, Kjo situatë, sipas tij, duhet të zgjidhet sepse shkakton situata të pakëndshme.

“Së pari shkakton ndjenjë negative tek të punësuarit e rinj shqiptarë, të cilët duan të punojnë, marrin rrogën, por nga ana tjetër nuk kanë mundësi që të shprehin përvojën, dituritë e tyre në vende pune kurse nga ana tjetër tek opinioni më i gjërë publik maqedon shkakton efekt negativ se gjoja shqiptarët marrin rrogë e nuk punojnë dhe vendosen në pozitë të pabarabartë me maqedonasit të cilët punojnë e marrin rrogën".

"Këtu vlerësoj se duhet të ketë një kompromis mes partnerëve të koalicionit që këta të punësuar shqiptar, disa prej të cilëve edhe më gjatë, të sistemohen si dhe të ndalet avazi i punësimit me të madhe të aktivistëve të partisë më të madhe në pushtet (VMRO DPMNE-së)”, thekson Musliu.

Ndërkohë, Fejzi Hajdari thotë se nevoja për nënpunës shqiptar, të aftë, është shumë e madhe pasi popullata shqiptare shumë herë është përballur me vështirësi gjatë marrjes së shërbimeve shtetërore, andaj sistemimi i rinjëve edhe nëpër sportele të ndryshme do të kishte efekte shumë pozitive.

“Shqiptarët kanë nevojë pikërisht për nëpunës të shkallës së parë, që do të pononin edhe nëpër sportele ku do të ofronin shërbimet e para për popullatën shqiptare, sepse dihet se tek ne ka edhe atë tillë që kanë problem me gjuhën maqedonase dhe kontributi i tyre do të ishte jashtëzakonisht i madh, apo lehtësues pasi shumë njerëz për shkak të problemeve të ndryshme, përfshirë edhe ato gjuhësore, nuk arrijnë të marrin shërbimet që u takojnë.

"Është imediate që nëpër sportete të ndryshme të sistemohen ata administratorë që ende rrinë nëpër shtëpitë e tyre e ndërkohë marrin rrogë sikur të jenë në vende pune“, thotë Fejzi Hajdari.

Përfaqësimi i drejtë dhe adekuat i shqiptarëve nëpër institucione është një nga obligimet kryesore të Marrëveshjes së Ohrit. Realizimi i këtij detyrimi kërkohet në vazhdimësi nga bashkësia ndërkombëtare në të gjitha raportet që publikohen për Maqedoninë.

XS
SM
MD
LG