Ndërlidhjet

Deputetët armenë votojnë pro bashkimit me Unionin Ekonomik


Ilustrim

Ilustrim

Me shumicë dërmuese të votave, parlamenti armen e ka miratuar traktatin për tu bashkuar Armenia me Unionin Ekonomik Euroaziatik.

103 deputetë kanë votuar pro bashkimit me unionin që udhëhiqet nga Rusia, derisa shtatë vota të deputetëve kanë qenë kundër.

Parlamenti e ka miratuar traktatin pas dy ditë diskutime dhe pas dy ditë protesta që janë mbajtur para selisë së parlamentit.

Protestuesit gjatë dy ditëve kanë mbajtur në duar parulla në të cilat shkruhej “Turp”.

Sipas përfaqësuesve opozitarë dhe protestuesve, bashkimi me Unionin Ekonomik Euroaziaktik, e dëmton ekonominë armene dhe i njëjti ndikon në sovranitetin dhe integritetin e Armenisë.

Traktati për tu bashkuar me Unionin Ekonomik Euroaziatik, është nënshkruar nga presidenti armen gjatë një ceremonie që është mbajtur gjatë muajit tetor në Minsk.

Me votimin e këtij traktati në parlament, Armenia nga 1 janari do ti bashkohet Unionit që përbëhet nga Rusia, Bjellorusia dhe Kazakistani.

XS
SM
MD
LG