Ndërlidhjet

BE-ja ndan 180 milionë euro për refugjatët nga Siria


Ilustrim
Ilustrim

Komisioni Evropian ka ndarë sot 180 milionë euro për të ndihmuar Libanin dhe Jordaninë, që të përballen me numrin e madh të refugjatëve nga Siria.

Me këtë pako ndihmëse, sipas Komisionit, do të ndihmohet Libani i cili aktualisht ka 1.1 milion refugjatë nga Siria, si dhe Jordania e cila i ka afro 630 mijë refugjatë.

Disa nga fondet e ndara pritet që të shkojnë edhe në Siri, ku brenda territorit të këtij shteti janë të zhvendosur 11 milionë refugjatë.

Teksa konflikti në Siri është duke vazhduar dhe numri i të vdekurve ka kaluar shifrën prej 200 mijë personash, ka pak mundësi që brenda një kohe të shkurtër, të jenë në gjendje që të kthehen rreth 3 milionë sirianë sa janë larguar në shtete fqinje.

Pakoja ndihmëse adreson në veçanti çështjen e edukimit të fëmijëve dhe të rinjëve, ndërsa ndihmon edhe shtetet që si pranuese të këtyre refugjatëve të realizojnë aktivitete për zhvillimin ekonomik.

Njoftimi nga Komisioni Evropian është bërë të enjtën, një ditë pasi që Programi Botëror i Ushqimit, në mungesë të mjeteve financiare, i ka ndaluar ndihmat për 1.7 milion refugjatë sirianë.

BE-ja është donatori më i madh i ndihmave humanitare në Siri.

BE-ja ka dhënë rreth 1.5 miliard dollarë që nga fillimi i konfliktit në Siri, derisa shtetet anëtare veç e veç, i kanë dhënë edhe 1.4 miliard të tjera.

“Ne jemi të gatshëm dhe dëshirojmë të ofrojmë mbështetje të vazhdueshme për popullin e Sirisë dhe për vendet fqinje, pritëse të refugjatëve sirianë”, ka thënë të enjten, Shefja për punë të jashtme e BE-së, Federica Mogherini.

XS
SM
MD
LG