Ndërlidhjet

logo-print

Krimeja: Tokë e shenjtë, por e kujt?!


Vladimir Putin dhe Viktor Yanukovych

Vladimir Putin dhe Viktor Yanukovych

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka mbrojtur aneksimin e Krimesë nga Moska, gjatë një fjalimi të tij, duke iu referuar liderit të shtetit mesjetar të sllavëve lindorë, Vladimiri i Madh.

Ky i fundit thuhet se është pagëzuar në gadishullin e Krimesë në shekullin e dhjetë dhe ka konvertuar shtetin mesjetar sllav në të krishterë ortodoks.

Ukrainasit, megjithatë, mund të përdorin të njëjtën logjikë për të justifikuar përfshirjen e Krimesë në shtetin modern të Ukrainës, thonë historianët dhe ekspertët fetarë.

“Nga perspektiva e Ukrainës, Krimeja është më e rëndësishme për Kievin sepse Vladimiri ka qenë sundimtar i Kievit”, thotë Cyril Hovorun, ish-zëdhënës i Kishës Ortodokse të Ukrainës.

Ky interpretim është në mesin e disa pretendimeve historike, fetare, etnike dhe politike për Krimenë, një gadishull në Detin e Zi, i cili ka strehuar kolonitë greke rreth 2,500 vjet më parë dhe është kontrolluar nga mbretëri dhe perandori të ndryshme, derisa Rusia e ka aneksuar atë nga Perandoria Osmane, më 1783.

Sipas legjendës, më 988, Vladimiri i Madh është konvertuar në të krishterë ortodoks në qytetin Khersones të gadishullit, pranë Sevastopolit të sotëm. Më pas, ai është kthyer në Kiev dhe ka urdhëruar konvertimin e shtetit mesjetar të sllavëve lindorë.

Në fjalimin drejtuar kombit, më 4 dhjetor, Putin ka krahasuar vendin e pagëzimit të Vladimirit të Madh me vendet e shenjta të hebrenjve dhe myslimanëve në Jerusalem.

“Për Rusinë, Krimeja, Khersonesi i lashtë, pranë Sevastopolit, kanë një civilizim të madh dhe kuptim të shenjtë, ashtu sikurse tempulli i shenjtë i Jerusalemit për ata që prakutikojnë Islamin dhe Judaizmin”, ka thënë Putin.

Duke marrë parasysh se konvertimi i shtetit mesjetar të sllavëve lindorë ka krijuar themelet ortodokse për shtetet e ardhshme ruse dhe ukrainase, presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko, mund të përdorë të njëjtin mesazh për elektoratin e tij, thotë Karl Qualls, profesor i historisë ruse dhe i historisë moderne evropiane në Kolegjin Dickinson në Pensilvani.

Sipas tij, tatarët e Krimesë po ashtu mund të thonë se gadishulli është i tyri, pasi paraardhësit e tyre kanë jetuar atje qysh në shekullin 13.

“Mendoj se tatarët kanë më shumë të drejtë se rusët apo ukrainasit, për shkak se janë popullsia më e vjetër që është vendosur në këtë gadishull, prejse janë larguar grekët”, thotë Qualls.

Sipas regjistrimit të popullsisë në Perandorinë Ruse, më 1897, tatarët e Krimesë kanë vazhduar të përbëjnë më shumë se një të tretën e popullsisë në Krime.

Në maj të vitit 1944, diktatori sovjetik, Josef Stalin, ka urdhëruar dëbimin e gjithë popullsisë tatare të Krimesë në Azinë Qendrore dhe Siberi, duke e akuzuar për bashkëpunim me nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Pasardhësi i Stalinit, Nikita Khrushchev, ka transferuar Krimenë nga Republika Ruse në Republikën e Ukrainës, më 1954.

Tatarët e Krimesë kanë nisur të kthehen në gadishull në fund të viteve 1980 dhe fillim të viteve 1990 dhe aktualisht përbëjnë rreth 13 për qind të popullsisë 2-milionëshe të Krimesë.

Profesori Qualls thotë se edhe grekët, të cilët përbëjnë një pakicë të vogël në Ukrainë, kanë argument të fortë për t’u njohur si popull vendës i Krimesë, marrë parasysh se Khersones, i përmendur nga Putini, ka qenë një qytet-shtet i lashtë grek.

Përgatiti:Valona Tela
XS
SM
MD
LG