Ndërlidhjet

Edhe në Kosovë në disa raste burrat gëzojnë pagë më të madhe sesa gratë, pavarësisht kualifikimeve arsimore dhe përvojës se tyre në krahasim më kolegët e tyre meshkuj.

Kështu thonë përfaqësues të shoqërisë civile dhe sindikatave të punëtorëve.

Pavarësisht ligjeve ekzistuese kundër diskriminimit gjinor dhe diskriminimit në punë, sipas tyre një fenomen i tillë vazhdon në Kosovë.

Blerta Beqiri, ka përfunduar Fakultetin Ekonomik, dhe punon si menaxhere në një kompani private. Ajo pranon se paguhet më pak se sa kolegu i saj mashkull edhe pse kanë të njëjtën pozitë.

“Personalisht kam vërejtur dallime në paga në mes kolegëve. Për shembull, unë dhe një koleg kemi pozitën e njëjtë, unë paguhem shumë më pak se ai dhe nuk e di arsyen. Vetëm kam hasur në këtë problem. Ndoshta vetëm për shkak të gjinisë, edhe pse nuk besoj se është dashur të ketë kësi lloji dallimesh”, shprehet Blerta.

Edhe Shukrije Rexhepi, zyrtare ligjore në Bashkimin e Sindikatave të Pavarura të Kosovës, për Radion Evropa e Lirë, thekson se ekzistojnë raste të tilla në Kosovë, sidomos në sektorin privat. Kjo sipas saj ndodh për shkak të shkallës se lartë të papunësisë tek gjinia femërore.

“Ka gjithsesi kësi lloji rastesh. Konform ligjit të gjitha pagesat janë të barabarta dhe respektohet barazia gjinore. Dhe është një nen i posaçëm që pagat duhet të jenë njëjta, mirëpo në realitet ndodh e kundërta".

"Në këtë aspekt ka diskriminim. Për shkak të shkallës se lartë të papunësisë, gratë janë të detyruara të punojnë edhe më paga më të ulëta. Ato nuk kërkojnë rritje pagash për shkak të rrezikimit të vendit të punës”, thotë Rexhepi.

Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë, thuhet se vetëm 23 për qind e grave në Kosovë punojnë, ndërsa meshkuj mbi 75 për qind.

Luljeta Demolli nga Qendra për Hulumtime dhe Studime Gjinore, thotë se diskriminimi gjinor fillon nga konkurset e shpallura e deri tek pozitat vendimmarrëse, ku edhe pagat janë më të larta. Kështu që sipas saj, grave iu diskriminohet karriera, pasi nuk kanë të drejta të barabarta.

“Sipas ligjeve ekziston kodi që përcakton pagat. Por sa kanë mundësi që gratë të vijnë në pozita ku paga është më e lartë. Në Kosovë gruaja shumë pak është e pranishme në pozita vendimmarrëse. Kurse sa i përket kompanive private, gratënuk kanëmundësi as të negociojnë për të udhëhequr ndonjë kompani të suksesshme në Kosovë.Pra ku janë paratë, në ato tavolina janë burrat”, tha Demolli për Radion Evropa e Lirë.

Edona Hajrullahu, kryeshefe ekzekutive në Agjencinë për Barazi Gjinore, thotë se legjislacioni në Kosovë është mjaft i avancuar dhe mbron parimin e barazisë edhe në rastin e pagave. Kështu, që në sektorin publik, sipas saj, pagat janë të barabarta për të dy gjinitë, por kjo çështje sfidohet në sektorin privat.

“Në realitet mund të ndodh në sektorin privat. Sfidohemi nga ky sektor pasi ndoshta ka dallime në përcaktimin e pagave. Por, megjithatë, këto raste duhet të paraqiten në inspektoratin e punës në kuadër të Ministrisë se Punës dhe Mirëqenies Sociale”, thekson Hajrullahu.

Sidoqoftë, problemi i diskriminimit në vendin e punës nuk është një dukuri, me të cilën preokupohen vetëm gratë në Kosovë.

Organizata Ndërkombëtare e Punës në Kombet e Bashkuara, ka bërë më dije se gratë në shumë shtete rreth globit, të cilat janë më mirë të arsimuara dhe me më shumë përvojë sesa kolegët e tyre meshkuj, vazhdojnë të paguhen më pak.

Në raportin e fundit mbi pagat në nivel global të publikuar nga kjo organizatë, është konstatuar se burrat janë paguar më shumë se gratë, në gjithsej 38 vende të ekzaminuara.

Edhe në Evropë, Rusi dhe Brazil, thuhet se gratë janë më të shkolluara e më me përvojë pune, por prapë diferenca në paga ekziston, dhe burrat paguhen më shumë se gratë, thuhet në raportin e Organizatës Ndërkombëtare të Punës

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG