Ndërlidhjet

Tendencat për migrim të paligjshëm


Ilustrim
Ilustrim

Me gjithë faktin se në Kosovë nuk ka statistika të sakta se sa është numri i personave që dëshirojnë, apo tentojnë të migrojnë në mënyrë të paligjshme në vendet e Bashkimit Evropian, organet e rendit pohojnë se dy muajt fundit ka pasur një rritje të interesimit, por që situata mbetet nën kontroll dhe jo shqetësuese.

Baki Kelani, zëdhënës në Policinë e Kosovës për Radion Evropa e Lirë, thotë se gjatë kësaj periudhe policia e Kosovës ka shtuar kontrollet në pikat kufitare sidomos ato që lidhin Kosovën më Serbinë.

Sipas tij, disa qytetarë po e shfrytëzojnë territorin e Serbinë për të kaluar në shtetin e Hungarisë, e më pas për vazhduar në ndonjë nga shtetet e Bashkimit Evropian.

“Bazuar në shifrat dhe statistikat që ne posedojmë me rastet e kontrabandimit me migrant gjatë këtij viti, konkretisht deri më 26 nëntor, rastet e hapura më kallëzime penale janë 78, dhe numri i personave të dyshuar të përfshirë në kallëzime penale kalon mbi 240".

"Por, kuptohet se kemi raste të hapura si raste në bashkëpunim ndërkombëtar, mund të them se deri në këtë periudhë kohore janë të hapura tri raste, konkretisht raste që kanë të bëjnë me kontrabadim me migrant”, tha Kelani

Në anën tjetër në vitin 2009 pikërisht në kufirin Serbi – Hungari në Lumin Tisa, 15 persona nga Kosova kishin humbur jetën, të cilët po përpiqeshin të kalonin kufirin në mënyrë ilegale.

Baki Kelani ndërkaq thekson se gjatë kontrolleve të udhëtareve të dyshuar në pikat kufitare më Serbinë, pas shpjegimit për pasojat e migrimit ilegal, disa qytetarë në mënyrë vullnetare kanë hequr dorë nga dëshira e tyre.

“Kuptohet se ka pasur informacione të ndryshme jo zyrtare, që disa nga shtetet e BE-se pranojnë azil dhe për këtë një numër i madh i qytetarëve janë vënë në lajthitje dhe kanë synuar migrimin".

"Për këtë ne si polici, kemi vazhduar me angazhimet, aktivitetet tona për parandalimin e migrimit ilegal. Pra ne do të vazhdojmë me aplikimin e kontrollit sistematik në dalje të të gjitha pikave kufitare, në veçanti me Serbinë”, shprehet Kelani.

Ndryshe, zyrtarë të Ministrisë se Punëve të Brendshme për Radion Evropa e Lirë, më herët kanë thënë se nga janari deri në shtator të këtij viti, janë mbi 8 500 persona që kanë lënë Kosovën.

Safedin Kuçi nga Departamenti për Shtetësi, Azil dhe Migracion thekson se 8,500 persona kanë kërkuar azil në shtete të ndryshme.

“Nga të dhënat që i kemi deri tani, sipas shteteve të ndryshme anëtare të BE-së, dhe duke u bazuar edhe në të dhënat e EUROSTAT-it, faktikisht shifrat deri në fund të shtatorit tregojnë se 8,500 persona kanë kërkuar azil në shtete të ndryshme”, ka thënë Kuçi.

Ai ka shtuar se vitin e kaluar numri i personave nga Kosova që kanë kërkuar azil në vendet e Bashkimit Evropian ka shkuar rreth 21 mijë.

Kurse në anketën e fundit të Agjencisë se Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Zhvillim Ndërkombëtar, është thënë se deri në 25 për qind e qytetarëve janë të interesuar të migrojnë apo kanë plane të tilla.

Në anën tjetër autoritetet kompetente përmes fushatave të shumta, po mundohen që të vetëdijesojnë qytetarët për të mos migruar në mënyrë të paligjshme.

Se fundmi Ministria e Punëve të Brendshme më anë të një fletushke ka paralajmëruar se kërkesat për azil në shtetet e Bashkimit Evropian refuzohen. Kështu që ka kërkuar nga qytetarët që mos të bien viktima të grupeve kriminale dhe mos japin para për të udhëtuar në mënyrë ilegale.

Pavarësisht kësaj, disa qytetarë të Kosovës, kryesisht vazhdojnë të kenë interesim për të ikur në ndonjë nga vendet perëndimore, kurse disa të tjerë shprehen se në asnjë mënyrë nuk do braktisnin vendin.

Ylber Raçi, student në vitin e tretë në Fakultetin Ekonomik, njëherësh punonjës në sektorin privat, pohon se për shkak të shkallës së lartë të papunësisë do ta braktisë Kosovën.

“Duke pasur parasysh kushtet në Kosovë, normalisht që do të iki nga Kosova. Papunësia është shumë e madhe, pagat janë shumë të vogla, për një jetë normale do të shkoja jashtë vendit, pa marrë parasysh në cilin shtet të botës. Këtu është problem edhe arsimi”, pohon Ylberi.

Por, ndryshe nga Ylberi, Ardita Konjufca, studente në Fakultetin Juridik, thotë se për asnjë arsye nuk do të kishte migruar.

“Këtu kam familjen. Kosova është vendi i bukur, ka të ardhme dhe nuk është alternativë ta lëshoj Kosovën. I them të gjithë të rinjve që mos të tentojnë ta lëshojnë Kosovën”, thotë Ardita.

Pavarësisht këtyre, demografi Tefik Basha, profesor në departamentin e Gjeografisë në Fakultetin e Shkencave Matematiko - Natyre, për Radion Evropa e Lirë, thotë se ka raste kur qytetarë dhe familje dëshirojnë të largohen nga Kosova, por nuk është dukuri apo fenomen, siç po paraqitet në disa media vendore.

Megjithatë ai, pohon se kjo është një thirrje ndaj qeverise së re, që në agjendën kryesore të ketë zhvillimin ekonomik dhe të përmbush kriteret për liberalizim të vizave.

“Të përshpejtohet procesi i liberalizimit të vizave, që do ti mundësonte popullatës sonë, të aftë për punë që të punoi 3 ose 6 muaj, të krijojë disa të mira materiale dhe prapë të kthehet .Kur kemi pasur liberalizim të vizave, nuk ka pasur raste që popullata jonë ka kërkuar azil politik që të mbetet jashtë”, thekson Basha.

Njohës të integrimeve evropiane thonë se lëvizja e qytetarëve të Kosovës në mënyrë ilegale në vendet e Evropës po pengon procesin e liberalizimit të vizave.

Shenoll Muharremi shpreh mendimin se institucionet e Kosovës nuk i kanë kryer plotësisht detyrat të cilat u janë vënë nga Bashkimi Evropian.

Ai ka shtuar se një nga faktorët që mund të ndikojë dhe është duke ndikuar në vonesën e liberalizmit të vizave, është edhe migrimi i kosovarëve.

“Ne me vite e kemi përmendur ketë problematikë dhe e kemi ftuar qeverinë që ta adresojë ketë problem në esencë. Edhe pse kemi qenë në dijeni të këtij fakti dhe pse kemi pasur numër të madh, deri në me shumë se 20 mijë azilkërkues në BE, qeveria ka pasur qasje të tillë është munduar të parandalojë azilin nëpërmjet fushatave mediale apo billbordave. Për mendimin tim ky fenomen nuk luftohet me këtë mënyre për shkak se kosovarët po e lëshojnë vendin e tyre nga keqqeverisja dhe mungesa e zhvillimit”, tha Muharremi.

Sidoqoftë, zyrtarë qeveritar tashmë disa herë kanë deklaruar se përpjekjet e qytetarëve të Kosovës për të lëshuar vendin janë të kota, pasi që “vendet e Evropës nuk pranojnë më azilkërkues nga Kosova".

Sipas të dhënave zyrtare, numri i qytetarëve të Kosovës, të cilët kanë migruar në vende të ndryshme të botës, është mbi 700 mijë persona. Në kuadër të kësaj shifre, janë futur edhe fëmijët e lindur jashtë vendit.

Në Kosovë migrimi daton që nga vitet ‘60, kurse një trend më i madh ka ndodhur gjatë viteve 1998- 1999, gjatë luftës në Kosovë.

Pas luftës, migrimi ka qenë i stimuluar nga kushtet e vështira socio –ekonomike, kanë thënë demografët dhe sociologët.

XS
SM
MD
LG