Ndërlidhjet

SHBA: Rritje e tensioneve ndër-racore


Gjatë protestave në New York.
Gjatë protestave në New York.

Zgjedhja e Barack Obamës për president në vitin 2008, ka nxitur një diskutim të gjërë të periudhës “pas - raciale” në Shtetet e Bashkuara.

Zoti Obama ishte i pari afrikano-amerikan që u zgjodh president, rast ky që e kapërceu trashëgiminë e errët të Amerikës, të skllavërisë dhe racizmit institucional.

Por, vendimet aktuale të atyre që njihen si Juri të Mëdha në Shtetet e Bashkuara për t’i mos i ndjekur penalisht policët e bardhë, që i kanë vrarë të dyshuarit me ngjyrë, kanë shkaktuar protesta në rrugë në gjithë Shtetet e Bashkuara, duke e theksuar atë që shumë e shohin si ndarje e vazhdueshme raciale.

Juria e Madhe, që në anglishte njihet me emrin Grand Jury, përbëhet nga një grup prej 12 personash, që mblidhen për të shqyrtuar dëshmitë kundër një personi të caktuar, për të përcaktuar nëse personi në fjalë duhet të ndiqet penalisht.

“Çdo herë kam thënë se nocioni se racizmi është çështje e së kaluarës, ishte absurd, dhe ata që e mbështetnin mitin “pas-racial”, ishin ose naivë ose jo të sinqertë”, ka shkruar kolumnisti, Eugene Robinson, në Washington Post, këtë javë , duke shtuar se “tash në mënyrë tragjike ju e shihni përse”.

Më 3 dhjetor juria ka vendosur që të mos e akuzojë oficerin e policisë së Nju Jorkut, për vrasjen e zotit Eric Garner, afrikano-amerikan i dyshuar për shitje ilegale të duhanit.

Pamjet në video të këtij incidenti, që ndodhi në korrik të këtij viti, tregojnë se si polici e shtrëngon me duar rreth qafës zotin Garner, në përpjekje për ta arrestuar, derisa i dyshuari disa herë e kishte përsëritur se “nuk po mund të merrte frymë”, para se të vdiste.

Policia dhe mjekoligjorët, që arritën në vendin e ngjarjes, pastaj e lanë atë të vetmuar në terren për disa minuta, kështu që 43 vjeçari, i cili ishte i sëmurë nga astma, më vonë vdiq.

Mjekoligjori i qytetit konstatoi se vdekja ishte pasojë e shtrëngimit me duar të oficerit të policisë.

Tog-fjalëshi “nuk mund të marr frymë”, është bërë moto e protestave të njerëzve të të gjitha racave, nga qyteti në qytet, që janë të tmerruar nga vendimi i jurisë për të mos e akuzuar policin, përkundër dëshmive nga videoja.

Ky vendim u bë vetëm disa javë, pasi një tjetër Juri votoi që të mos akuzohet një polic tjetër i bardhë, i cili e qëlloi dhe e vrau afrikano-amerikanin tjetër, Michael Brown, 18 vjeçar, në Ferguson të Misurit.

Oficeri policor në këtë rast, kishte argumentuar se ka vepruar në vetëmbrojtje, megjithqë ka pasur dëshmi kundërthënëse të incidentit vdekjeprurës, i cili nuk ishte incizuar në video.

Të dy rastet theksojnë atë që shumë e shohin si marrrje në shënjestër në mënyrë jokorrekte të meshkujve afrikano-amerikanë, nga ana e agjencive për zbatimin e ligjit në Shtetet e Bashkuara, dhe për një atmosferë të mos-ndëshkimit për policët që i vrajnë të dyshuarit me ngjyrë.

Presidenti amerikan, Barack Obama, i cili shumë herë ka përsëritur se Shtetet e Bashkuara janë vend i ligjit, kur është përfshirë në diskutimet kombëtare për rastet e akuzave kriminale raciale, lidhur me shqetësimet e fundit është shprehur më 4 dhjetor, gjatë një fjalimi në Uashington, një ditë pas vendimit të Jurisë në rastin Garner.

“Kur kemi të bëjmë me sistemin penal të drejtësisë sonë, ashtu siç për fat të keq kemi parë gjatë ditëve të fundit, shumë amerikanë ndjejnë padrejtësi të thellë kur kemi të bëjmë me hendekun ndërmjet idealeve të deklaruara dhe mënyrës se si zbatohet ligji në baza ditore”, tha Obama.

Gazetari i njohur afrikano-amerikan, Ta-Nehisi Coates, tha se çështja e dhunës policore kundër personave me ngjyrë në Shtetet e Bashkuara, nuk mund të shikohet në një vakuum, por si një komponentë e problemit më të gjërë të racizmit.

“Ne e kemi këtë histori të gjatë të racizmit në këtë vend dhe ashtu siç ndodhë, sistemi i drejtësisë penale ishte me gjasë instrumenti më i njohur për administrimin e racizmit. Por, racizmi aktualisht nuk vjen nga sistemi penal i drejtësisë. Ai nuk vjen nga policia. Policia, në masë të madhe, e bën atë që shoqëria, nga e cila ata e kanë origjinën, dëshiron që ajo ta bëjë”, tha Coates.

Ky gazetar nuk është i vetëm në vlerësimin e tij për gjendjen e lidhjeve raciale.

Të dhënat sugjerojnë se afrikano-amerikanët po e marrin një qëndrim të errët në rritje të raporteve raciale, për shkak të vazhdimit të pabarazisë ndërmjet të bardhëve dhe zezakëve, në një spektër të indikatorëve demografikë.

Një hulumtim i opinionit nga Qendra Pew dhe gazeta USA Today, në muajin gusht, tregon se derisa shumica e personave të zi dhe të bardhë, kanë mendim pozitiv për raportet ndërmjet racave, përqindja e afrikano-amerikanëve, që e kanë këtë qëndrim, ka shënuar rënie prej 12 pikëve, prej vitit 2009, kur Obama u bë president amerikan. Kjo rënie ishte prej 76 në 64%.

Njëherësh, statistikat e Byrosë së Regjistrimit të Shteteve të Bashkuara dhe të dhënat e analizuara nga agjencia Bloomberg, tregojnë se derisa përqindja e afrikano-amerikanëve, që jetojnë në varfëri ka rënë gjatë 50 viteve të fundit, ata ende mbeten prapa bashkështetasve të tyre të bardhë në të ardhura, në banim, në punësim, arsim dhe jetëzgjatje, dhe në kategori të tjera.

Afrikano-amerikanët janë, poashtu në mënyrë joproporcionale, të përfaqësuar si viktima dhe kryes të rasteve të vrasjes, sipas të dhënave të agjencisë FBI, të vitit 2011.

Derisa afrikano-amerikanët përbëjnë më pak se 13% të popullatës në Shtetet e Bashkuara, ata e përbëjnë pothujase gjysmën e viktimave të vrasjeve në Shtetet e Bashkuara, në vitin 2011.

Duke folur për çështjen e pabarazisë, zoti Obama tha se “në zemër të idealit amerikan është kjo ndjenjë se ne jemi së bashku në të, se askujt nuk i është garantuar suksesi, por se çdokush ka qasje në mundësinë e suksesit, dhe ne kemi gatishmëri për të punuar, jo vetëm për të siguruar se fëmijët tanë i kanë rrrugët për në sukses, por që këtë e ka çdokush”.

“Na takon të gjithë neve, të gjithë amerikanëve, pavarësisht nga raca, rajoni, besimi, që ne ta njohim se ky është problem amerikan, dhe jo vetëm problem i të zive, ose problem i amerikanëve autoktonë. Ky është problem amerikan. Kur çdokush në këtë vend, nuk trajtohet në mënyrë të barabartë sipas ligjit, atëherë ky është problem”, tha Barack Obama.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG