Ndërlidhjet

Putin dhe Hollande diskutuan për krizën në Ukrainë


Vladimir Putin dhe Francois Hollande gjatë takimit në pjesën diplomatike të aeroportit Vnukovo në Moskë.
Vladimir Putin dhe Francois Hollande gjatë takimit në pjesën diplomatike të aeroportit Vnukovo në Moskë.

Presidenti i Francës, Francois Hollande, e ka bërë një vizitë të shkurtër në Rusi, ditën e shtunë, me ç’rast është takuar me presidentin, Vladimir Putin.

Detajet e diskutimeve të dy liderëve ende nuk janë krejtësisht të qarta, por Hollande, derisa e takoi Putinin në pjesën diplomatike të aeroportit Vnukovo në Moskë, tha “Zoti president, vendosa se ne duhet të diskutojmë për problemet lidhur me krizën në Ukrainë”.

“Zoti president, unë dëshiroj ta shfrytëzoj një moment këtu me ju për të diskutuar për krizën në Ukrainë, për popullin e Ukrainës, për Evropën, për Rusinë. Unë e di se ndërmjet Rusisë dhe Francës ekziston vullneti për gjetjen e zgjidhjes”, tha presidenti francez, Francois Hollande.

Duke dalur nga takimi, presidenti Putin tha se Rusia e respekton intergritetin territorial të Ukrainës dhe shpreson se do të implementohet marrëveshja për armëpushim në Ukrainë dhe do të bëhet këmbimi shtesë i të burgosurve.

Putini, po ashtu ka theksuar se si pjesë e armëpushimit të sinqertë, Ukraina nuk duhet t’i bllokoj hapësirat në pjesën lindore të Ukrainës, që aktualisht janë nën kontroll të separatistëve prorusë.

“Shpresoj se do të filloj puna për ripërtritjen e jetës ekonomike dhe çfarëdo elementi i çfarëdo bllokade duhet të përjashtohet, në të kundërtën do të jetë vështirë të imagjinohet ripërtritja e integritetit territorial të vendit”, tha Putin.

“Problemet janë të komplikuara, por pavarësisht nga kjo, diskutimi që ne po e zhvillojmë për këto çështje, ende jep një rezultat të caktuar pozitiv dhe jam i sigurt se vizita juaj, vizita e shkurtër punuese, me siguri do të jetë në të mirën e zgjidhjes së shumë problemeve”, tha Putin.

Presidenti francez, Francois Hollande, tha se “është e mundshme zbutja e krizës së Ukrainës”, nëse marrëveshja për armëpushim, për të cillën ishin pajtuar të dy palët në Minsk më 5 shtator, implementohet në mënyrë të plotë.

“Franca dëshiron që kriza të përfundoj, pasi ajo po shkakton vuajtje për urkainasit, pastaj për shkak të sanksioneve dhe për shkak se ajo i parandalon marrëdhëniet me Rusinë nga procedimi, ashtu siç ato do të duheshin”.

“Shpresoj se do të vazhdoj të ketë kontakte ndërmjet Rusisë dhe Francës. Ekziston histori, ekziston po ashtu, nevojë, ne duhet të gjejmë zgjidhje. Ne çdoherë duhet të gjejmë zgjidhje. Aktualisht unë isha në Kazakistan, ku ekzistojnë probleme të ngjashme. Mendoj se janë kohëra kur duhet të shfrytëzohet momenti, dhe ky moment do të arrijë”, tha Hollande, duke shtuar se “ne duhet t’i parandalojmë ndarjet me muret e tjera".

Liderët perëndimorë e kanë akuzuar Rusinë për furnizim me armatim të separatistëve në pjesën lindore të Ukrainës, dhe për dërgimin e trupave ruse atje, për t’i mbështetur kryengritësit separatistë që luftojnë kundër forcave të Qeverisë së Ukrainës.

Para vizitës së tij në aeroportin Vnukovo në Moskë, presidenti Francois Hollande, ka pasur konsultime me kancelaren gjermane, Angela Merkel, dhe me presidentin e Ukrainës, Petro Poroshenko.

Mendohej se temë e takimit do të ishte edhe vendimi i Francës për ta pezulluar shitjen e dy luftanijeve në Rusi, por pas bisedimeve, zoti Putin tha se kjo çështje nuk ishte shtruar.

Presidenti rus tha se nëse Franca synon anulimin e shitjes, atëherë Rusia kërkon që t’i kthehen paratë e paguara.

Kjo marrëveshje për shitjen e dy luftanijeve është pezulluar nga Parisi, në kuadër të sanksioneve të imponuara kundër Rusisë, për rolin e saj në kryengritjen në pjesën lindore të Ukrainës dhe për aneksimin ilegal të Krimesë së Ukrainës, në muajin mars.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG