Ndërlidhjet

Isa Mustafa, kryeministër i Kosovës


Isa Mustafa
Isa Mustafa

Me 73 vota për, 38 kundër dhe 2 abstenime, Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur qeverinë e re me kryeministër Isa Mustafën.

Procedura e votimit, pasoi debatin prej katër orësh të mbajtur në Kuvendin e Kosovës ditën e hënë. Qeveria e re e Kosovës është formuar mbi bazën e marrëveshjes për bashkëqeverisje ndërmjet Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Kësaj marrëveshje i është bashkangjitur të martën edhe Lista Serbe.

Kabineti qeveritar i Isa Mustafës do të ketë 3 zëvendëskryeministra. Partia Demokratike e Kosovës do të udhëheqë me 9 ministri, Lidhja Demokratike e Kosovës me 8, Lista Serbe me 3 ministri dhe një post zëvendëskryeministri si dhe 1 ministri pa portofol për pakicat jo serbe.

Pas procedurës së votimit, qeveria është betuar se do të punojë në interes të vendit duke respektuar Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës.

Kryeministri i sapozgjedhur, Isa Mustafa premtoi angazhim në përmbushjen e programit qeverisës, të cilin në pika të shkurta e kishte shpalosur një ditë më herët para Kuvendit.

“Ne anëtarët e Qeverisë së Kosovës betohemi solemnisht se me përgjegjësi, përkushtim do të kryejmë të gjitha detyrat e punës, sipas mandatit të dhënë nga ky Kuvend, duke respektuar normat dhe ligjet, për arsim, shkencë dhe kulturë. Betohemi!”, ka lexuar deklaratën, kryeministri i ri i Kosovës.

Kryeministri i sapozgjedhur Isa Mustafa ka bërë një falënderim interesant pas marrjes së besimit në Kuvend.

Ai i ka falënderuar të gjithë, por jo edhe deputetët e partisë së tij. Disa deputetë të LDK-së, votuan kundër zgjedhjes së kësaj qeverie, ngaqë e kundërshtuan nga fillimi koalicionin me PDK-në.

"Falënderoj për këtë besim të gjithë ju që votuat. Falënderoj edhe ata që votuan kundër dhe ata që abstenuan. Natyrisht, e gjithë kjo vlen për të gjithë ju, por jo për deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës", ka thënë Mustafa.

Zgjedhjen e qeverisë së re të Kosovës e kanë përshëndetur përmes një deklarate të përbashkët Zyra e Bashkimit Evropian dhe Shefat e Misioneve të Shteteve Anëtare të BE-së të pranishme në Kosovë.

Në deklaratë, rikujtohen edhe shumë sfida dhe detyra që janë para qeverisë Mustafa, nisur nga bërja e reformave politike dhe ekonomike, deri te bërja prioritet e zhvillimit socio-ekonomik dhe punësimit.

"Ripërtërirja e përkushtimit ndaj dialogut me Beogradin, vendosja e theksit në qeverisje të mirë, sundimi i ligjit, luftimi i korrupsionit, bashkëpunimi me EULEX-in dhe krijimi i gjykatës speciale", potencohet në deklaratën e përbashkët të përfaqësuesve evropian si detyra që e presin qeverinë e re të Kosovës.

Me konstituimin e së hënës të Kuvendit dhe zgjedhjen e qeverisë të martën, u përmbyll faza e formimit të institucioneve të Kosovës.

Më 12 dhjetor, kryeministri në largim Hashim Thaçi, i cili në përbërjen e re të qeverisë do të jetë zëvendëskryeministër dhe ministër i Jashtëm, pritet t'i dorëzojë edhe zyrtarisht detyrën kryeministrit të zgjedhur Isa Mustafa.

XS
SM
MD
LG