Ndërlidhjet

Shumë sfida para qeverisë Mustafa


Përbërja e Qeverisë së re të Kosovës, të cilën do ta drejtojë kryeministri Isa Mustafa, lë mjaft për të dëshiruar, kur merret parasysh një numër i madh sfidash që e presin ekzekutivin e ri, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike në vend.

Megjithatë sipas tyre, përbërja e qeverisë së re është rezultati i kompromiseve ndërmjet dy partive të koalicionit qeverisës, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Partisë Demokratike të Kosovës.

Fisnik Korenica nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, duke folur për Radion Evropa e Lirë, ka kritikuar partitë e koalicionit qeverisës për jo transparencë lidhur me marrjen e vendimeve për personat që janë caktuar për dikasteret e ndryshme të ekzekutivit.

Ai gjithashtu thotë se rezymeja e shpalosur nga kryeministri Isa Mustafa nuk ka shpërfaqur ndonjë plan qeverisës që lidhet me realizimin konkret të objektivave të qeverisë.

“Besoj që kompozicioni i ri i kabinetit qeveritar, sa i përket pastërtisë së figurave të ministrave, është në një nivel relativisht të mirë. Por, nga shumica e ministrave që sot janë pjesë e këtij kabineti, mua më duket se nuk kanë treguar ndonjë farë përvoje të jashtëzakonshme menaxheriale,në mënyrë që nesër të mund ta ndryshojnë rrënjësisht gjendjen në ministritë ku ata drejtojnë sot e tuje”, thotë Korenica.

Analisti i çështjeve politike, Ismajl Hasani, vlerëson se në kompromiset e mëdha, kur krijohet një qeveri e koalicionit sikurse i tashmi, është e pamundur që gjetjet të jenë të qind për qindta.

“Në këtë kuptim, mund të shoh se nga përbërja e cila u bë publike, aty-këtu, lë për të dëshiruar, pozicione, emra, individ, të cilët mbase kanë ekspertizën për një fushë tjetër, por nuk kanë ekspertizën për dikasterin për të cilin janë zgjedhur”, shprehet Hasani.

Ai vlerëson se ekspozeja e shpaluar nga kryeministri Mustafa ka qenë e përgjithësuar edhe jo konkrete për sfidat të cilat e presin Kosovën.

“Brenda për brenda kësaj, konsideroj që qeveria e re duhet t’i merr në mënyrë tepër serioze sfidat të cilat e presin Kosovën”, thekson Hasani.

Analisti Hasani shton se sfida serioze për qeverinë e re do të jenë sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit, ndalimi i migrimit të të rinjve, njohjet e reja të shtetit, si dhe forcimi i pozitës ndërkombëtare të vendit në raport me strukturat euro-atlantike.

Në anën tjetër, Fisnik Korenica shpreh mendimin se janë tri sfida themelore që e presin ekzekutivin e vendit.

Sipas tij, nga qeveria e re kërkohen vendime të guximshme që do të çonin në zhbllokimi i rrugës së integrimit evropian të Kosovës, me nënshkrimin e MSA-së dhe me marrjen e vlerësimit pozitiv lidhur me zbatimin e reformave të kërkuara nga udhërrëfyesi për liberalizim të vizave.

Gjithashtu, sipas tij, kërkohet reformë në luftë ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit politik, si dhe çështja e punësimit dhe përmirësimit të kushteve në tregun e punës, në mënyrë që Kosova të mos ketë shkallë të lartë të varfërisë dhe numër të madh të emigrantëve potencial.

“A është në gjendje kjo qeveri që t’i adresojë këto çështje, kjo mbetet të shihet. Por, nga lista e ministrave të propozuar dhe nga mënyra se si u bë kalkulimi i hyrjes në qeveri, unë nuk mendoj që qeveria e re do të ketë mundësi për të bërë ndryshime rrënjësore dhe nuk ka guximin për të bërë ndryshime rrënjësore, sepse i tillë është formati i koalicionit”, shprehet Korenica.

Ndryshe, njohësit e zhvillimeve politike, presin që qeveria e re, të paktën ta ndërtojë një kulturë më transparente dhe më të standardizuar të vendimmarrjes, si dhe të konsultimit të publikut dhe Kuvendit të Kosovës.

XS
SM
MD
LG