Ndërlidhjet

Raporti për CIA-n, nxit thirrje për ndjekje penale


Zyrtari i lartë i Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut dhe anti-terrorizëm, Ben Emmerson, ka bërë thirrje për ndjekje ligjore të zyrtarëve të Shteteve të Bashkuara, që ishin të involvuar në atë, që në raportin e Senatit amerikan, u vlerësuan si marrje “brutale” në pyetje e të dyshuarve për terrorizëm.

Në këtë raport, që u publikua të martën vonë, theksohet se teknikat e zgjeruara të hetimeve “nuk ishin mjete efektive për sigurimin e informatave të sakta ose për fitimin e bashkëpunimit të të burgosurve”.

Zoti Emmerson, tha se zyrtarët e lartë nga administrata e ish-presidentit, George Bush, që i planifikuan dhe i autorizuan krimet, duhet të ndiqen ligjërisht, e po ashtu, edhe zyrtarët qeveritarë dhe ata të CIA-s si përgjegjës për torturë.

Në deklaratë theksohet se Shtetet e Bashkuara janë “juridikisht të obliguara për sjelljen para drejtësisë të atyre që janë përgjegjës”.

Nga ana tjetër, Bashkimi i Lirive Civile Amerikane, i ka bërë thirrje prokurorit të përgjithshëm të Shteteve të Bashkuara, që ta emëroj një prokuror special për hetimin e zyrtarëve që “krijuan, miratuan, kryen dhe e fshehën programin e torturës”.

“Shkelësit duhet të ndiqen penalisht”, ka theksuar ky grup dhe ka shtuar se në sistemin amerikan “askush nuk mund të jetë mbi ligjin”.

Drejtori ekzekutiv i organizatës Human Rights Watch, Kenneth Roth, tha se nëse publikimi i raportit nuk çon në ndjekje ligjore të zyrtarëve, “tortura do të mbetet opsion politik për presidentët e ardhshëm”.

Raporti prej 6 mijë faqeve, është përpiluar pas pesë vitesh të hetimeve nga Komiteti i Senatit për Inteligjencë. Megjithatë, është publikuar vetëm një version i edituar prej 525 faqeve.

Në të janë detajuar metodat e marrjes në pyetje të agjencisë CIA, gjatë hetimeve ndaj grupit operativ të dyshuar të al-Kaidës dhe për kapacitetet e fshehta në Evropë dhe Azi, në vitet pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001, kundër Shteteve të Bashkuara.

Më tutje, në raport konkludohet se agjencia CIA ka përdorur teknika gjatë marrjes në pyetje të terroristëve të dyshuar, që ishin “brutale” dhe “shumë më të këqija” se sa që ishin informuar zyrtarët. Sipas raportit, metodat kishin dështuar të nxjerrin informata të drejta.

Po ashtu, theksohet se CIA i kishte keq-udhëhequr “politkbërësit dhe të tjerët” për nivelin e brutalitetit të teknikave, kundër të dyshuarve për terrorizëm, në vitet pas sulmeve terroriste.

Në metodat e përdorura ishin përfshirë abuzimet fizike, që ishin bërë “përkundër vërejtjeve të personelit mjekësor të CIA-s” se teknikat “mund t’i përkeqësojnë lëndimet fizike”.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, ka vlerësuar se zbulimet në raport ishin “shqetësuese”.

“Jam i shqetësuar për pasoja potenciale tej oqeanit, për të cilat kemi ndërmarrë masa paraprake në përpjekje për ta zvogëluar çfarëdo rreziku shtesë, mendoj se ishte e rëndësishme për ne ta publikojmë raportin, në mënyrë që njerëzit të kuptojnë në mënyrë precize se përse unë i ndalova këto praktika, si një nga veprimet e para që i ndërmora kur u bëra president, dhe shpresoj se ne nuk do të bëjmë gabime të tilla përsëri”, tha Barack Obama, në një intervistë për rrjetin televiziv amerikano-spanjoll, Telemundo.

Nëpërmjet një deklarate, drejtori i CIA-s, John Brennan, tha se kjo agjenci ka bërë gabime dhe ka mësuar nga ato.

Por, ai theksoi se teknikat detyruese “prodhuan inteligjencë që ndihmoi në shmangien e planeve për sulme, për zënien e terroristëve dhe për shpëtimin e jetëve”.

Ish-zëvendëspresidenti, Dick Cheney, i tha së përditshmes, New York Times, se hetimet ishin “absolutisht dhe totalisht të arsyeshme”, pasi e mbajtën “vendin të sigurt ndaj më tepër sulmeve me viktima masive, që ishte objektivi ynë”.

Në këtë debat është përfshirë edhe senatori republikan me ndikim, John McCain, i cili dikur ishte edhe vetë i burgosur i luftës.

“Nga përvoja ime personale, e di se abuzimi i të burgosurve do të prodhoj më tepër inteligjencë të keqe se të mirë”, tha McCain, gjatë diskutimit në Senatin e Shteteve të Bashkuara.

Ai theksoi se “qartas na duhet inteligjencë për t’i mundur armiqtë tanë, por ne na duhet inteligjencë e besueshme dhe se tortura prodhon më tepër informacione keq-drejtuese se sa inteligjenca vepruese”.

Sipas tij, edhe në rastin e kërkimit për Osama bin Ladenin, informatat më të rëndësishme ishin ato që erdhën nga “metodat konvencionale të marrjes në pyetje”.

Senatorët e tjerë republikanë e kontestuan konkluzionin se metodat e hetimeve të agjencisë CIA, të theksuara në raport, dështuan të sjellin inteligjencë që ka çuar në zënien e figurave kryesore terroriste.

Dy senatorë republikanë kanë shprehur shqetësime, që ishin dëgjuar më herët nga kritikët, për vendimin që të publikohet raporti për publikun, duke thënë se kjo mund të ketë “pasoja serioze” për interesat e sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG