Ndërlidhjet

RAE komunitetet më të diskriminuara


Komuniteti Rom në Kosovë
Komuniteti Rom në Kosovë

Zyra e Avokatit të Popullit dhe organizatat joqeveritare që merren me mbrojtjen e të drejtave të njeriut të Kosovës, thonë se Romët, Ashkalitë dhe Egjiptasit si komunitete, janë më të diskriminuarit dhe nuk u respektohen të drejtat e tyre.

Përfaqësuesit e këtyre organizatave thonë se gjendja e tanishme e këtyre komuniteteve nuk është e mirë dhe kërkon përkrahje.

Avokati i popullit Sami Kurteshi, tha për Radion Evropa e Lirë, se Kosova dhe institucionet e saj, nuk mund të krenohen me respektimin e të drejtave të njeriut.

“Sa më larg nga qendrat e vendimmarrjes, sa më larg ta quaj edhe me ketë fjalën e "egër" që unë po e them pushteti, aq më të cenuara janë të drejtat qoftë të individëve, qoftë të grupeve. Këtu bëjnë pjesë personat me aftësi të kufizuara bëjnë pjesë pjesëtarët e komunitetit LGBT, bëjnë pjesë grupet pakicë qofshin ato etnike gjuhësore por kemi edhe grupet sociale”, tha Kurteshti.

Njohësit e çështjeve të të drejtave të njeriut thotë se respektimi i të drejtave të një shoqërie lidhet ngushtë me zhvillimin që ka një shtet - nga kontesti ekonomiko-social dhe politik.

Drejtori ekzekutiv i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, Behxhet Shala, thotë se Kosova është afër përmbushjes se standardeve minimale për respektimin e të drejtave të njeriut.

Shala, tha se Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, ka identifikuar disa kategori të cila janë më të rrezikuara dhe që nuk respektohen të drejtat e tyre.

“Romët janë ndoshta komuniteti më i rrezikuar në kuptimin jo të sigurisë, por në kuptimin e mos përmbushjes së detyrimeve ndaj tyre për zhvillim ekonomik, për arsim, për qasje në shërbime të tjera. Komuniteti LGBT është duke berë përpjekje për ta bërë publik identitetin e saj dhe që të njihet ai identitet. Ka probleme ka vështirësi dhe ata nuk janë mirë”, tha Shala.

Shkelja e së drejtës së lirisë së shprehjes dhe lirisë së tubimit, janë problemet me të cilat më së shpeshti ballafaqohet komuniteti Lesbik, Gej Biseksual dhe Transgjinor (LGBT) në Kosovë.

Ato përcillen edhe me sulme fizike dhe verbale ndaj pjesëtarëve të këtij komuniteti.

Avokati i Popullit edhe më parë ka tërhequr vërejtjen lidhur me ekzistimin e këtij problemi, si dhe nevojën për ta zgjidhur nga organet kompetente, thuhet në raportin e fundit vjetor të Avokatit të Popullit.

Avokati Kurteshti, thotë se komuniteti RAE dhe LGBT, në njëfarë mënyre mbeten të margjinalizuar.

“Ato mbeten anash, dhe këtu madje kemi edhe dallime se jo të gjitha komunitetet pakicë janë në të njëjtën gjendje”, tha Kurteshi.

Strategjia për Integrimin e Komuniteteve Rome, Ashkali dhe Egjiptas 2009-2015, në mënyrë të hollësishme elaboron shqetësimet dhe problemet më të cilat ballafaqohen këto tri komunitete.

Ky plan propozon dhe thekson masat konkrete që duhet të ndërmerren si në nivel qendror po ashtu edhe atë lokal.

Mirëpo, në asnjërin nivel nuk është arritur që të gjendet kohë për të filluar realizimin e kësaj strategjie, thuhet në raportin e fundit vjetor të Avokatit të Popullit.

Komunitetet Rom, Ashkali dhe Egjiptas (RAE), njihen zyrtarisht si komunitete të veçanta në Kosovë dhe sipas Kushtetutës gëzojnë të drejtat e barabarta me të gjitha komunitetet tjera.

Por, përfaqësues të komuniteteve, theksojnë se këto dokumente kanë mbetur vetëm në letër dhe asnjëherë nuk janë zbatuar në praktikë.

XS
SM
MD
LG