Ndërlidhjet

logo-print

Qeveria e re e Kosovës, do të ketë dy nivele të obligimeve dhe përgjegjësive, thonë analistët politik në Prishtinë.

Fillimisht theksohen obligimet në nivelin ndërkombëtar për vazhdimin e dialogut me Beogradin dhe themelimin e Gjykatës Speciale, e më pas edhe obligimet në nivelin vendor për zhvillimin ekonomik, zbutjen e papunësisë, uljen e shkallës së lartë të varfërisë e deri te sfidat e shumta për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Analisti politik, Artan Muhaxhiri, pret që qeveria Mustafa domosdoshmërisht të merret me themelimin e shpejtë të Gjykatës Speciale për krimet e luftës dhe vazhdimin e dialogut me Beogradin.

"Është e qartë që për formimin e Gjykatës Speciale për krime lufte dhe vazhdimin e dialogut me Serbinë, do të duhet të ketë një bashkëpunim të thellë dhe të plotë me bashkësinë ndërkombëtare për përmbushjen e këtyre obligimeve", ka theksuar Muhaxhiri.

Gjatë një ekspozeje të mbajtur para Kuvendit në ditën kur Isa Mustafa e kërkonte votën e deputetëve për kabinetin e tij qeveritar, ai ishte zotuar se do të vazhdoj dialogu me Serbinë me synimin se do të ketë edhe marrëveshje tjera deri në njohje reciproke.

"Qeveria e Republikës së Kosovës do të mbetet e përkushtuar për normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Serbinë dhe vazhdimin e dialogut që do të synohet të finalizohet me njohje të ndërsjellë, e që do të mundësoj ndërtimin e paqes së qëndrueshme mes dy vendeve dhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike fqinjësore në frymën evropiane", ka deklaruar Mustafa.

Vendosja e dialogut me Serbinë si një nga prioritetet e qeverisë së re, është kritikuar nga Lëvizja Vetëvendosje e cila e ka kundërshtuar këtë dialog edhe në kohën e qeverisjes nga Hashim Thaçi.

Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka tërhequr vërejtjen se me veprime të tilla, qeveria po e fuqizon rolin e Serbisë përbrenda shtetit të Kosovës.

"Përmbajtja e marrëveshjes së tyre me Listën Serbe, tregon qartë synimin për federalizimin e Kosovës duke e ndarë sistemin e saj politik, duke krijuar paritet në çdo udhëheqje institucionale dhe duke e formuar me shpejtësi Asociacionin e Komunave Serbe".

"Bosnja dhe Hercegovina është një shtet që nuk është Republikë, por brenda e ka Republikën Serbe që nuk është shtet. Republika e Kosovës po bëhet një, jo shtet i cili do ta ketë brenda shtetin e Serbisë ende të pashpallur Republikë", ka thënë Kurti.

Përveç obligimeve ndërkombëtare, qeveria Mustafa do të ballafaqohet edhe me shumë sfida tjera që nisin nga fusha e zhvillimit ekonomik, papunësia, shkalla e lartë e varfërisë, arsimi, shëndetësia e deri te reformat në të gjitha fushat e funksionimit të shtetit.

Ndërkaq një nga betejat e humbura të institucioneve në vazhdimësi është thënë se ishte ajo e luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Kryeministri i zgjedhur, Isa Mustafa është zotuar se Kosova do të jetë e pa-kompromis ndaj të gjithë atyre që bien ndesh me ligjin.

"Ne shprehim përkushtimin tonë për të ndërtuar një shtet që ofron mundësi të barabarta për të gjithë qytetarët dhe që lufton pa asnjë kompromis korrupsionin, krimin e organizuar dhe të gjitha llojet e ekstremizmave që mund ta dëmtojnë shoqërinë dhe shtetin tonë", është shprehur Mustafa.

Premtimet e shumta që janë dhënë qoftë nga kryeministri i ri i Kosovës, apo edhe nga dy partitë e koalicionit, për analistin Artan Muhaxhiri, duhet parë me rezerva.

Ai vlerëson se gjashtë muaj të humbur për formimin e institucioneve nuk i japin shumë hapësirë qeverisë së re për zvarritje tjera. Por, thekson se pritjet për rezultate nuk duhet të jenë maksimaliste.

"Natyrisht që duhet të jemi realist dhe të mos presim që çdo gjë do të përfundoj, për kah këto prioritete, me këtë qeveri, mirëpo gjithsesi qeveria Mustafa e ka për obligim që në mënyrë profesionale dhe të përkushtuar, t'u qaset problemeve fundamentale me të cilat ballafaqohet shoqëria kosovare", ka thënë Muhaxhiri.

Për qeverinë e re të Kosovës disa mesazhe i ka adresuar edhe Departamenti amerikan i shtetit.

Ndërsa ka përgëzuar Kosovën për konstituimin e parlamentit dhe formimin e qeverisë, në deklaratën e Departamentit të Shtetit thuhet se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin përpjekjet e Kosovës për t’u përballur me këto sfida, përfshirë dialogun me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve dhe përkushtimin e Kosovës për ngritjen e Gjykatës Speciale që do të adresojë dyshimet e hetuara nga Forca e posaçme hetuese.

  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG