Ndërlidhjet

Fëmijët me autizëm në Kosovë, ballafaqohen me probleme të ndryshme, duke filluar nga procesi i diagnostikimit, e deri te rehabilitimi i tyre, thonë përfaqësues të shoqatave që merren me këtë çështje.

Sipas organizatave joqeveritare, numri i fëmijëve me autizmëm në Kosovë, llogaritet të jetë afër 500, edhe pse statistikat zyrtare mungojnë.

Ndërsa, statistikat në botë tregojnë se ndër 110 fëmijë të lindur, një nga ta është i prekur me autizëm, që shkakton çrregullime në zhvillimin e fëmijës.

Karakteristikë e fëmijëve të prekur nga autizmi janë problemet me komunikimin verbal dhe joverbal, si dhe sjelljet e tyre ndaj rrethit.

Jeta Deva, udhëheqëse e Asociacionit Nacional të Autizmit, i ka thënë Radios Evropa e Lirë, se në Kosovë fëmijët me autizëm kanë shumë sfida, duke filluar nga diagnostikimi e deri tek trajtimi.

"Diagnostikimi është sfida kryesore për shkak se nuk ka ekip multidiciplinar dhe ekip vlerësues. Gjithashtu edhe arsimimi është sfidë për shkak se pranimi i fëmijëve në shkolla dhe institutcione parashkollore është shumë i vështirë. Ne është dashur të shkruajmë letra mbështetëse dhe është dashur të flasim personalisht me drejtorë shkollash, që të insistojmë për pranimin e fëmijëve, edhe pse janë të obliguar me ligj", ka shtuar ajo.

Derisa, Drejtori i Departamentit për Informim në Ministrinë e Shëndetësisë, Faik Hoti, ka thënë se së fundmi është nënshkruar një marrëveshje mes Ministrisë së Shëndetësisë, me grupin e rrjetit për autizëm për evropën juglindore, me qëllim që çështja e autizmit në Kosovë të adresohet në mënyrë sa më gjithpërfshirëse.

"Kërkesat e shoqatës së autizmitl idhen kryesisht me përforcimin e shërbimeve të diagnostikimit dhe rehabilitimit, ndërsa në kuptim arsimor kanë të bëjnë me themelimin e komisioneve dhe vlerësimin e aftësive të personave me autizëm".

"Pra, çështja e autizmit duhet të adresohet në mënyrë multidiciplinare dhe është mirë që Kosova përfundimisht, është pjesë e këtij rrjeti bashkëpunimi dhe praktikat që shtetet perëndimore i ndjekin ndaj kësaj kategorie, do ti ndjek edhe shoqëria jonë", ka shtuar Hoti.

Por, zonja Deva gjithashtu ka shtuar se për fëmijët me autizëm ju mungojnë edhe mjetet e punës, që do të mund të vlerësonin shkathësitë, në mënyrë që të kanalizohen më tej fëmijët me autizëm.

"Na mungojnë mjetet e vlerësimit multidiciplinar, mungojnë edhe instrumentet si për shembull adosi, që llogaritet për punën e vlerësimit e që i matë shkathtësitë dhe potencialet si dhe funksionet se si duhet intervenuar tek fëmijët me autizëm".

Sidoqoftë, deri tani janë zhvilluar teori të ndryshme për shkaqet e kësaj sëmundjeje, por asnjëra prej tyre nuk ka arritur të definojë dhe përcaktojë terapinë përkatëse për shërimin e personave me autizëm.

  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG