Ndërlidhjet

Qeveria e Shqipërisë, ka organizuar forumin kombëtar anti-korrupsion, për të shpalosur arritjet në luftën kundër këtij fenomeni gjatë vitit 2014.

Por ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Florian Rauning, iu drejtua qeverisë shqiptare, duke thënë se "me gjithë rastet e denoncuara, (gjithsesi shumë pak) nuk ka asnjë zyrtar të lartë të dënuar për korrupsion”.

Deklaratës së zotit Rauning, i është përgjigjur kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij, i cili ka thënë se “korrupsioni nuk luftohet me ndëshkimin e një drejtuesi apo 20 të tillëve, ky është një iluzion për sa kohë sistemi do jetë i tillë, ku gjithkush do jetë i cenueshëm, i tundueshëm dhe i korruptueshëm potencialisht”.

Kreu i qeverisë deklaroi se për të luftuar korrupsionin në çdo fushë është i nevojshëm modernizimi i sistemit.

Rama solli si shembull sektorin energjetik në vend dhe tha se “nëse energjia elektrike do ishte paguar nga të gjithë qytetarët, do të kishte dyfish të ardhura për të paguar ndihmën ekonomike, do kishte 150 shkolla më shumë dhe spitale”.

Në këtë Forum të organizuar nga Ministri i Shtetit për Çështjet Vendore dhe Koordinatori Kombëtar kundër Korrupsionit, Bledi Çuçi, ministrat e kabinetit qeveritar shpalosën arritjet e punës së dikastereve të tyre për të luftuar fenomenet korruptive.

Ndërkohë, ka reaguar kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, i cili përmes një statusi në Facebook shkruan mes të tjerash se "një kauzë diskreditohet kur flamuri rrëmbehet nga baballarët e inkriminimit të shtetit.”

Ndërkaq, aksioni i Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar, për prishjen e ndërtimeve pa leje dhe hapjen e hapësirave publike, si dhe aksioni ndaj vjedhësve të energjisë dhe debitorëve që nuk kanë paguar faturat, vazhdon ende.

Ndonëse nuk ka një bilanc të deritanishëm për ecurinë e këtyre aksioneve, kryeministri Rama, ka shprehur vullnetin në emër të qeverisë së tij për të vazhduar edhe më tej zbatimin e tyre, si dhe për të nisur një tjetër aksion, atë ndaj abuzuesve me faturat e ujit të pijshëm.

XS
SM
MD
LG