Ndërlidhjet

logo-print

Maqedoni: Profesorët në mbrojtje të studentëve


Protestat e studentëve në Maqedoni.

Protestat e studentëve në Maqedoni.

Protestat e studentëve kundër provimeve shtetërore pas vitit të dytë të studimeve dhe në përfundim të tyre po gjejnë mbështetje të fuqishme nga organizatat të ndryshme si brenda ashtu edhe jashtë vendin ndërsa në mbështetje të tyre tashmë kanë dalë edhe profesorët e tyre, me disa përjashtime.

Propozimi i qeverisë, sipas profesorit Svetomir Shkariq, nuk mund të zbatohet në asnjë mënyrë pasi është në kundërshtim me kushtetutën dhe si i tillë cënon rëndë autonominë e universiteteve.

“Provimi shtetëror, apo çfarë do formë tjetër për vlerësimin e dijes, janë kundërkushtetuese pasi cënojnë rëndë autonominë e universiteteve. Provimet, vlerësimi i njohurive të studentëve, i takon vetëm se atyre që këto njohuri ia transmetojnë studentëve, ata janë profesorët dhe i tërë kuadri tjetër universitar“, thotë Svetomir Shkariq, profesor i së drejtës kushtetuese.

Edhe për Arsim Sinanin, profesor i së drejtës ndërkombëtare, propozimi i qeverisë, të cilin duhet ta zbatoj Ministria e Arsimit, është i panevojshëm pasi shkakton vetëm se komplikime të panevojshme në sistemin universitar në vend.

“Provimi shtetëror është i panevojshëm në formën se si është hartuar. Është një vendim i padrejtë dhe mendoj se dëmton studentët. Ndoshta është menduar për përmirësimin e kapaciteteve studendore, por mendoj se kjo nuk është forma e duhur për të arritur një gjë të tillë".

"Mendoj se Ministria e Arsimit duhet t'i rishikoj apo rivlerësoj dhe të hap një debat lidhur me këtë çështje, e jo të merren vendime arbitrare, të papranueshme e të cilat do të sjellin vetëm konflikte pasi është e qartë se studentët nuk do ta pranojnë dhe ata kanë të drejtë“, thotë Arsim Sinani.

Në protestën e djeshme kundër provimit shtetëror protestuan studentë nga të gjitha universitetet shtetërore, pa dallim përkatësinë e tyre entike, pra maqedonas, shqiptar, turq e të tjerë, që është dukuri e rrallë këtu në Maqedoni.

Profesorja e Universitetit të Shkupit, Gordana Popsimonova, që ishte në mesin e studentëve, thotë se për herë të parë ka parë studentët më të bashkuar se kurrë që kërkojnë të drejtat e tyre, e që sipas saj, janë të arsyeshme.

"Provimi shtetëror është i panevojshëm duke marr parasysh faktin se ata pas mbarimit të shkollës së mesme i nënshtrohen një provimi shtetëror si dhe shumë procedurave tjera kështu që propozimi i fundit është vërtët absurd", thotë Popsimonova.

“Unë dje isha në mesin e kolonës së gjatë të studentëve. Para meje ecnin studentë që flisnin shqip, ishin të lumtur, ishin të fortë në qëndrimin e tyre, kjo shkaktoj emocione tek unë. Kam pasur rastin të marrë pjesë në shumë protesta, por tek protesta e fundit kam parë energji të paparë tek të rinjtë e bashkuar, pa dallim përkatësine entike. Ata thjesht dolën në mbrojtjen e të drejtave të tyre, në mbrojtjen e dinjitetit të tyre. Me një fjalë, ata kanë të drejtë“, thotë profesoresha, Gordana Popsimonova

Nga ana tjetër, Arsim Sinani, profesor i drejtës ndërkombëtare, vlerëson se jo vetëm provimi shtetëror, por edhe reformat tjera të ndërmarra nga ministria e arsimit nuk janë studiuar mirë andaj edhe shkaktojnë reagime të shumta në opinion, siç është ditari elektronike, vlerësimi i nxënësve përmes provimit shtetëror pas përfundimit të çdo klase, aplikimi i programeve arsimore të Kembrixhit pa asnjë konsultim paraparak, e kështu me radhë.

“Reformat në Maqedoni duhet të nisin që nga Ministria e Arsimit. Përdorimi i emrit të Kembrixhit, apo ku e di çfarë tjetër në rrethanat e Maqedonisë është sikur ti premtosh popullatës se ne do të ju dërgojmë për pushime verore në Maldivi dhe ne e dimë se kjo nuk mund të bëhet për shkak të kostos së lartë".

"Konsideroj se nevojitet një program apo formë e arsimit e cila do të ishte e kapshme për të gjithë, e jo të premtohet Kembrixhi kurse në anën tjetër të kemi rezultate katastrofale pasi fëmijët tanë mësojnë nga tekste që në brendinë e tyre më shumë kanë broçkulla se sa shkencë“, thotë Sinani.

Nga Ministria e arsimit mbeten në qëndrimin për zbatimin e këtij vendimi që ende është në fazën përgaditore. Drejtues të Ministrisë kanë paralajmëruar debat të gjërë për këtë çështje dhe marrjen në konsidertë të vërejtjeve që mund të paraqiten gjatë debatit publik. Sipas tyre, propozimi ka si qëllim kryesore rritjen e cilësisë në arsimin e lartë.

XS
SM
MD
LG