Ndërlidhjet

Qeveria e "shtrenjtë"


Kabineti i ri qeveritar i Kosovës.

Kabineti i ri qeveritar i Kosovës.

Kabineti i ri qeveritar i Kosovës i udhëhequr nga kryeministri Isa Mustafa, përbëhet nga shumë ministri dhe zëvendësministra, që sipas ekspertëve për çështje ekonomike dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile, konsiderohet luks për një vend të varfër si Kosova, rrjedhimisht barrë buxhetore.

Sipas tyre, numri i madh i ministrive dhe zëvendës ministrave është krijuar për shkak të rehatimit të përkrahësve të zjarrtë të koalicionit qeverisës, Partisë Demokratike dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Kabineti qeveritar përbëhet nga Isa Mustafa kryeministër, tre zëvendës kryeministra, 21 ministri, përfshirë këtu dy ministra pa portofol dhe rreth 50 zëvendës ministra.

Numri i zëvendës ministrave është në bazë të marrëveshjes se koalicionit të Partisë Demokratike dhe Lidhjes Demokratike, që në secilën ministri të emërohen nga dy zëvendës ministra, njëri nga radhët e PDK-se dhe tjetri nga radhët e LDK-së.

Këtu duhet marrë në konsideratë, thuhet në marrëveshje edhe përfaqësimin e komuniteteve, të cilët do të jenë pjesë e kabinetit qeveritar dhe do të udhëheqin ministri të caktuara, si dhe do të kenë pozita në nivel të zëvendës ministrave.

Në anën tjetër, gjatë fushatës se tij zgjedhore, Isa Mustafa, kishte premtuar se do zvogëlonte numrin e ministrive për të evituar shpenzimet e tepërta.

Drejtori ekzekutiv në Lëvizjen “Fol”, Petrit Zogaj, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se shpërblimi i anëtareve të partive të koalicionit në pozita të larta dhe ulja e tensioneve brenda subjekteve politike të koalicionit,është vazhdim i logjikës abuzuese me mjetet buxhetore.

Ai madje pohon se Republika e Kosovës, nuk ka nevojë për këtë numër të ministrive në Qeverinë e Kosovës.

“Zoti Mustafa ka përgjegjësitë kryesore, sepse është kryeministër i vendit, që kjo qeveri është më këtë numër, përkundër asaj që zoti Mustafa ka proklamuar se nuk do të jetë në këtë numër".

"Unë nuk besoj se shteti i Kosovës ka nevojë për më shumë se 12 ose 13 ministri. Ne i kemi 8 ose 9 ministri pothuajse të tepërta, sepse nuk ka ndonjë lloji logjike të funksionimit”, tha Zogaj.

Ndërkaq, Lumir Abdixhiku, drejtor ekzekutiv në Institutin "Riinvest”, e konsideron të paarsyeshme që për akomodime politike të përdoret një strukturë aq e madhe qeverisëse, e cila nuk është funksionale por shumë e kushtueshme financiarisht.

“Është me tepër motiv financiar, i përfitimeve financiare, pagave, mëditjeve dhe shërbimeve tjera që vijnë më këtë luks qeveritar Mos të harrojmë se qeveria jonë jeton në një luks të paparë dhe kjo po shihet si motiv i madh për të qenë pjesë e saj dhe për të marr sa më shumë hise në këtë luks. Ky është motiv i mbrapsht dhe jo i mirë”, tha Abdixhiku për Radion Evropa e lirë.

Një kabinet i tillë qeveritar do rrisë shpenzimet e parave të tatim paguesve, thotë edhe Petrit Zogaj, duke shtuar se në këto pozita as ministrat, zëvendës ministrat dhe stafi politik, nuk qëndrojnë për pagën bazë por për benificionet që vinë pastaj.

"Ky është abuzimi i dyfishtë që i bëhet, për shkak se ministrat mund të thonë se kemi aq rrogën, por të ardhurat e tyre mujore për shkak të përfitimeve të tjera do të jenë shumë më të mëdha dhe kjo vetëm sa do e rëndon buxhetin aktual “, tha Zogaj.

Ndryshe, kabineti i ri qeveritar është kritikuar edhe nga përfaqësues të opozitës, sipas të cilëve, një kabinet i tillë nuk ekziston as në vendet e Bashkimit Evropian.

Sipas tyre, ky kabinet i stërmadhuar e ka vështirë të sjell ndryshime, por pritet përkeqësim i gjendjes në shumë fusha të jetës.

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG