Ndërlidhjet

Kuvendi fillon punën, opozita synon hetimin e SHIK-ut


Kuvendi i Kosovës, foto nga arkivi
Kuvendi i Kosovës, foto nga arkivi

Kuvendi i Kosovës ka nisur edhe zyrtarisht punën pas konstituimit dhe zgjedhjes së qeverisë së re. Të enjten, Kryesia e Kuvendit ka identifikuar grupet dhe komisionet parlamentare.

Njëherësh, ka caktuar dy seancat e para plenare të kësaj legjislature që do të mbahen javën tjetër.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli ka thënë se legjislatura është konstituuar me vonesë, kështu që këtë institucion tani e pret një punë më dinamike për përmbushjen e agjendës.

Përderisa seanca e të hënës së ardhshme do të jetë në kuadër të punës së rregullt të Kuvendit, ajo e ditës së enjte është thirrur me kërkesë të presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga e cila do të mbajë fjalimin e saj vjetor para deputetëve.

"Siç e dini, ne kemi pasur vonesa për gjashtë muaj. Kështu që të hënën në ora dhjetë do të kemi një seancë plenare. Po ashtu edhe të enjten, me kërkesë të presidentes së Republikës do të kemi një seancë tjetër, ku presidentja do të adresojë fjalimin e saj vjetor", ka thënë Veseli.

Që nga dita e parë e punës, opozita e ka paralajmëruar sërish shumicën në Kuvend se do të jetë shumë aktive duke ngritur për debat e diskutim çështje të ndryshme politike, që sipas opozitës përbëjnë probleme që duhet sqaruar.

Një nga këto çështje është edhe hetimi i aktiviteteve të ish-Shërbimit Informativ të Kosovës i njohur si SHIK, shef i të cilit shërbim ishte kryetari aktual i Kuvendit, Kadri Veseli, njëherësh zëvendëskryetar i Partisë Demokratike të Kosovës.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri ka deklaruar se opozitës do t'i duhet mbështetja edhe e shtatë deputetëve tjerë për krijimin e një komisioni hetues.

"Lëvizja Vetëvendosje do ta vazhdojë nismën e saj që nga legjislatura e kaluar për një komision hetimor ndaj Shërbimit Informativ të Kosovës, punës, veprimtarisë, financave, bazës ligjore e kështu me radhë", ka deklaruar Ymeri.

Ai ka thënë po ashtu se do të bisedohet edhe me deputetë nga partitë në pushtet nëse janë të interesuar për këtë çështje.

Gjatë votimit për qeverinë e re të Kosovës, kryeministri Isa Mustafa nuk arriti të sigurojë votat e të gjithë deputetëve të partisë së tij, andaj opozita, tani mbase llogaritë edhe në mbështetjen e tyre.

"Do të flasim edhe me grupet tjera opozitare por edhe me deputetë individual të koalicionit qeverisës të cilët do të ishin të interesuar që ta hetojnë këtë shërbim dhe ta kuptojmë njëherë e përgjithmonë se kujt i ka shërbyer, për çka dhe në çfarë mënyre ky i ashtuquajturi Shërbim Informativ i Kosovës", ka thënë Ymeri.

Iniciativa për hetimin e SHIK-ut, ishte lansuar që nga viti 2011 nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Deputetja e AAK-së, Donika Kadaj - Bujupi ka konfirmuar se kjo parti do të jetë në mbështetje të nismave për hetimin parlamentar të këtij shërbimi.

"Ne do të vazhdojmë me kërkesën e bërë edhe në vitin 2011 dhe presim që bashkërisht opozita të bëj punë në këtë drejtim dhe sigurisht që të kemi edhe përkrahjen individuale edhe të gjithë atyre që mendojnë ndryshe brenda Kuvendit", ka theksuar Kadaj-Bujupi.

Sidoqoftë,, themelimi i komisioneve tjera mbetet çështje e iniciativave dhe miratimit nga Kuvendi.

Ndërkaq të enjten, në Kuvend është bërë ndarja e komisioneve. Edhe kjo legjislaturë do të ketë 14 komisione parlamentare.

PDK dhe LDK do t'i udhëheqin me nga katër komisione, Vetëvendosje dy, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma me nga një, përderisa dy komisione do t'i udhëheqin edhe komunitetet pakicë.

XS
SM
MD
LG