Ndërlidhjet

Rrahmani: Kthimi i besimit të qytetarëve në shëndetësi, prioritet


Ilustrim

Ilustrim

Imet Rrahmani, specialist i mjekësisë emergjente, ka marrë detyrën e ministrit të Shëndetësisë në Qeverinë e Kosovës. Në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, ai tha se është i vetëdijshëm për të gjitha problemet dhe sfidat që ka shëndetësia në Kosovë.

Radio Evropa e Lirë
Zoti ministër, sa jeni i njoftuar me problemet që i ka sistemi shëndetësor në Kosovë?

Imet Rrahmani: Jam i vetëdijshëm për të gjitha problemet, jam i njoftuar pasi që kam qenë aktivisht i kyçur në përcjelljen e këtyre problemeve. Është e vërtetë që më shumë aktivitetin tim e kam dhënë në nivelin komunal, kujdes primar dhe sekondar, por unë e kam ekipin e përgatitur profesionalisht, i njoftuar me të gjitha problemet në shëndetësi, me të arriturat dhe sfidat. Nuk është një fushë e panjohur për ne.

Radio Evropa e Lirë
Cilat do te jenë prioritetet tuaja si ministër?

Imet Rrahmani: Një nga prioritetet kryesore do të jetë kthimi i besimit të qytetarëve në shëndetësinë kosovare dhe kthimi i dinjitetit të punëtorëve shëndetësorë. Kjo sigurisht që është e përgjithshmja që duhet arritur në kuadër të objektivave që kemi brenda kësaj, por vazhdimi i reformave, implementimi i ligjeve, reduktimi - respektivisht furnizimi komplet me barna esenciale, mundësi më e madhe diagnostikuese në sistemin shëndetësor të Kosovës, janë sfidat më të mëdha që do të ballafaqohemi.

Kosova ka potencial kuadror, ka mjekë shumë të mirë, ka gjëra të mira brenda sistemit shëndetësor. Por disa probleme që po shfaqen kohë pas kohe po i hedhin hije të zezë shërbimeve shëndetësore, por edhe gjithë sistemit shëndetësor. Ka gjëra të mira brenda shëndetësisë, vetëm duhet t'i kanalizojmë.

Radio Evropa e Lirë
A do ta vazhdoni sistemin reformues shëndetësor?

Imet Rrahmani: Një nga prioritetet e qeverisjes është shëndetësia dhe kemi përkrahje politike dhe besoj që ne do të jemi përkrah gjitha proceseve të mira që kanë ekzistuar. Aty ku hasim se ka pasur vështirësi dhe keqpërdorime do t'i ndërpresim, por në baza ditore do të punohet gradualisht duke i prekur problemet, duke i zgjedhur problemet dhe duke o anuluar të këqijat.

Radio Evropa e Lirë
A do ta kenë qytetarët Ligjin për sigurime shëndetësore në vitin 2015?

Imet Rahmani: Besoj se do të jetë një nga punët e mia të para. Besoj që qytetarët do ta kenë kartelën e sigurimeve shëndetësore në vitin 2015.

  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG