Ndërlidhjet

Kosova, marrëdhënie jo të mira me disa vende të rajonit


Vendet më përkrahëse në rajon në forcimin e legjitimitetit ndërkombëtar të Kosovës kanë qenë Shqipëria, Turqia dhe Sllovenia, thuhet në hulumtimin e fundit të Institutit Kosovar për Kërkime dhe Zhvillim të Politikave, (KIPRED).

Ky raport shqyrton marrëdhëniet politike bilaterale të Kosovës me 11 shtetet e rajonit që nga shpallja e pavarësisë në shkurt të vitit 2008.

Ndërkohë, Maqedonia dhe Mali i Zi, janë vende të cilat e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, por që kanë mbetur neutrale në qasjen e tyre për ta ndihmuar Kosovën që ta forcojë legjitimitetin ndërkombëtar.

Serbia, ndërkaq, mbetet sfiduesja më e patundur e legjitimitetit ndërkombëtar të Kosovës, e cila po ashtu thuhet në hulumtim, se ka ndërmarrë çdo hap që mundet për ta sfiduar subjektivitetin dhe përfaqësimin ndërkombëtar të Kosovës.

Gent Gjikolli nga KIPRED, ka theksuar se shteti i Turqisë gjatë gjashtë viteve të fundit ka qenë shumë më me ndikim në ndihmën që i ka dhënë Kosovës në lobimin për njohjet e saj.

“Marrëdhëniet e shkëlqyera në aspektin cilësor i kemi më Turqinë dhe Shqipërinë, derisa në anën tjetër, sfiduesi më i madh në pavarësinë e Kosovës është Serbia, ku në këtë proces më së shumti e ka përkrahur Rumania, pastaj kemi Bosnje e Hercegovinën që ka nguruar në këtë aspekt për shkak të probleme të brendshme që i ka”, ka theksuar Gjikolli.

Shqipëria ka theksuar Gjikolli, është i vetmi vend në rajon me të cilin Kosova ka marrëdhënie shumë intensive. Por, krahasuar me Shqipërinë, Turqia ka qenë po ashtu një investitor shumë i fuqishëm në Kosovë.

“Marrëdhëniet me Shqipërinë dhe Turqinë janë të shkëlqyera për dalim me shtetet tjera të rajonit, dhe kjo ndodh për shkak se këto dy shtete kanë njohur shtetin e Kosovës. Ka një numër të madh të marrëveshjeve të nënshkruara, 21 sosh më Turqinë dhe 17 me Shqipërinë. Në anën tjetër, kemi investime të larta të këtyre dy shteteve, nga Turqia ka investime në vlerë prej 28. 6 milion euro, derisa nga Shqipëria janë 62 milion euro”, ka bërë të ditur Gjikolli.

Pavarësisht marrëdhënieve jo të mira bilaterale politike në mes Kosovës dhe Serbisë, kjo e fundit mbetet importuesi kryesor në Kosovë.

Ekspertë të çështjeve ekonomike theksojnë se shkëmbimet tregtare çdo herë kanë qenë në favor të vendeve të rajonit dhe jo të Kosovës.

Berat Rukiqi nga Oda Ekonomike e Kosovës, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thekson se problemet marrëdhëniet jo të mira politike me disa nga shtetet e rajonit, gjithsesi se kanë ndikuar edhe në marrëdhëniet ekonomike.

“Në përgjithësi marrëveshja e CEFTA –s, si marrëveshje ombrellë në këtë rajon ka mundësuar që të kemi një qasje ndryshe me vendet tjera së paku në letra, duke qenë partnerë të barabartë, por në praktikë shumë herë të ndikuara nga politika ditore shumë vende siç është rasti i Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës ndikimi i këtyre marrëveshjeve ka qenë i vogël”, thekson Rukiqi.

Marrëveshja për Tregti të Lirë, CEFTA, është një projekt ndërkombëtar i krijuar nga ana e Bashkimit Evropian, me qëllim të lehtësimit të këmbimeve tregtare të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Deficiti i lartë tregtarë është një problem tjetër që e ka përcjellë Kosovën. Sipas të dhënave zyrtare, kontributi i eksporteve në volumin tregtar është shumë i ultë dhe atë rreth 200 milionë euro në vit, kurse importi kalon shifrën e mbi 1 miliard euro.

XS
SM
MD
LG