Ndërlidhjet

120 mijë vende të reja pune, premtim kryesor i Mustafës


Isa Mustafa

Isa Mustafa

Krijimet e vendeve të reja të punës kanë qenë premtimet kryesore të partive politike të Kosovës, në fushatën elektorale për zgjedhjet e tetë qershorit.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, kryeministri i zgjedhur Isa Mustafa, pati premtuar 120 mijë vende pune, pjesa më e madhe është paraparë të punësohen në bujqësi dhe veprimtari prodhuese.

Por, për dallim nga fushata, në ekspozenë e tij të parë para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, kryeministri Mustafa, nuk ka përmendur shifra por vetëm zotime.

Kurse, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaqi, tashmë zëvendës kryeministër, përmes një fondi prej 1.5 miliard eurosh synonte të zbusë papunësinë.

Ai kishte premtuar krijimin e 200 mijë vendeve të reja të punës, nga 50 mijë për katër vite.

Sidoqoftë, ekspertë për çështje ekonomike shprehen skeptik në mundësinë e krijimit të numrit të vendeve të reja të punës.

Profesori Musa Limani, për Radion Evropa e Lirë, thotë se situata aktuale ekonomike nuk mundëson krijimin e një numri të madh të vendeve të reja të punës. Ai thotë se premtimet kanë mbetur vetëm në kuadër të fushatës.

“Ajo deklaratë mbetet vetëm deklaratë e fushatës kurse ne jetën praktike nuk ka asnjë mundësi që të punësohen 120 mijë punëtorë, për shkak se për çdo vit duhet të punësohen se paku 30 mijë veta. Kurse deri më tani, sipas situatës se tanishme, në sektorin sektori privat dhe atë publik, brenda një viti janë punësuar 6-7 mijë punëtorë", thekson Limani.

Sidoqoftë, nëse kryeministri i ri i Kosovës, Isa Mustafa realizon premtimin e tij, sipas ekspertëve të ekonomisë, i bie që rreth 125 qytetarë të punësohen për çdo ditë pune, pa përfshirë festat.

Ndërkaq, sipas disa projekteve të Ministrisë se Punës dhe Mirëqenies Sociale, thuhet se në katër vitet e fundit janë punësuar 26 mijë qytetarë.

Në anën tjetër profesori në Fakultetin Ekonomik më Universitetin e Prishtinës, Naim Gashi, thekson se pavarësisht vështirësive në përmbushjen e këtij premtimi, mundësitë ekzistojnë por varet nga puna e qeverisë.

“Krijimi i vendeve të reja të punës nuk ka qenë prioritet asnjëherë në asnjë qeveri në 15 vitet e fundit. Mua më gëzon fakti që dy partitë e koalicionit qeverisës të Partisë Demokratike dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, prioritetin numër një programet e tyre zgjedhore e kanë pasur gjenerimin e vendeve të reja të punës".

"Unë po shpresoj se ai program të realizohet, vendet e punës për të cilat ka shumë nevojë Kosova, të rinjtë dhe popullsia në përgjithësi", tha Gashi për Radion Evropa e Lirë.

Ndryshe, papunësia mbetet problem më tepër se një dekadë. Në të gjitha zgjedhjet, qoftë të përgjithshme apo lokale, subjektet ekonomike kanë premtuar uljen e shkallës se papunësisë dhe varfërisë, por në realitet gjithmonë ka mbetur njëjtë.

Të dhënat që kanë dalë nga regjistrimi i popullsisë të realizuar në vitin 2011, thuhej se gati gjysma e popullatës e aftë për punë, apo 44.9 për qind, janë të papunë. Kurse 55 për qind llogaritet papunësia tek të rinjtë nga mosha 15 deri në 24 vjeç.

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG