Ndërlidhjet

Rënia e rublës ruse lëkund ekonominë rajonale


Rubla ruse

Rubla ruse

Derisa vlera e rublës ruse vazhdon të bie, për shkak të çmimeve të ulëta të naftës dhe sanksioneve të Perëndimit, humbje në vlerë kanë shënuar edhe monedhat e shumë republikave ish-sovjetike.

Gagik Ghazaryan, është eksportues i pijeve të buta dhe ushqimeve të konservuara nga Armenia. Ai thotë se rubla është aq e dobët saqë konsumatorët rusë nuk mund t’i përballojnë më prodhimet e tij, të cilat i kanë çmimet në dollarë.

“Ka rreth dy muaj që kemi pezulluar eksportet tona. Nëse konsumatorët në Rusi marrin prodhime nga unë në dollarë, ata duhet t’i konvertojnë ata në rubla dhe fitojnë një çmim që është 60 ose 70 për qind më i lartë. Pra, në territorin e tyre, prodhimi jonë nuk është më konkurrues në aspektin e çmimeve. Kjo është edhe arsyeja përse gjendja jonë është shumë e keqe. Nuk e dimë se si do të dalim nga kjo sitiuatë”, thotë Ghazaryan.

Por, ai nuk është i vetmi. Pasi eksportet armene kanë humbur papritmas aftësinë konkurruese në tregun rus, e gjithë ekonomia e Armenisë është lëkundur. Monedha e saj, dram, ka humbur 12 për qind të vlerës kundrejt dollarit qysh në muajin janar.

E njëjta gjë është duke ndodhur edhe në Gjeorgji. Moska mund të mos jetë partneri më i madh tregtar i Tbilisit, siç është i Jerevanit.

Por, Rusia është burimi i vetëm i madh i remitencave nga gjeorgjianët që punojnë jashtë vendit. Rublat që ata tani dërgojnë në shtëpi, injektojnë më pak para në ekonomi. Kjo ka bërë që lari gjeorgjian të bie 9 për qind kundrejt dollarit qysh në janar.

Rëniet e monedhave në Armeni dhe Gjeorgji, kanë krijuar disa probleme për të dyja vendet. Kjo do të thotë se secili duhet të paguajë më shumë për importet e nevojshme nga Perëndimi.

Në të njëjtën kohë, ato duhet të shpenzojnë disa nga rezervat e tyre të pakta për të ngadalësuar ritmin e rënies së monedhave të tyre.

Këto dy vende të Kaukazit janë të vetmet që ndjejnë keq efektet e dobësimit të rublës ruse.

Kazakistani, i cili është partner i madh tregtar me Rusinë dhe prodhues i naftës, është kritikuar edhe për rënie të rublës, edhe për rënie të çmimit të naftës. Në vend se të bëjë përpjekje të mbrojë monedhën kazake, tenge, qeveria ka vendosur që ta zhvlerësojë atë për 19 për qind në shkurt të këtij viti.

Por, kjo nuk do të jetë e mjaftueshme për të ndaluar zhvlerësimin e monedhës vitin e ardhshëm.

“Nëse nafta qëndron në rreth 70 deri në 75 dollarë për fuçi, do të shohim që bruto-prodhimi i brendshëm në Rusi do të tkurret për 2 deri në 3 për qind vitin e ardhshëm. Kjo do të ketë efekt negativ te fqinjët e Rusisë. E gjitha çfarë mund të bëjnë ata është që të përpiqen të gjejnë kompensim duke zhvlerësuar monedhën e tyre”, thotë Charles Robertson, ekonomist nga Londra.

Por, këtu ka edhe një sfidë tjetër. Rënia e rublës nuk e bën të vështirë vetëm për rusët që të përballojnë mallrat kazake.

Edhe Kazakistani duhet të mbrojë sektorët e tij industrial dhe bujqësor nga hyrja e importeve ruse me çmim më të ulët.

Në rrethana të ndryshme, por të pakëndshme është edhe Bjellorusia. Monedha e saj, rubla, ka rënë për 13 për qind kundrejt dollarit që nga fillimi i vitit.

Një arsye është se rënia e rublës ruse ka zvogëluar të ardhurat nga dy rafineritë e mëdha të Bjellorusisë, të cilat konvertojnë naftën e papërpunuar ruse në gaz dhe në produkte të tjera për tregun rus.

“Në vitet e fundit, Bjellorusia ka qenë shumë e varur nga ndihma financiare ruse. Mendoj se Minsku duhet të jetë pak i shqetësuar se, duke pasur parasysh problemet e veta, Moska do të jetë më pak e gatshme për t’i siguruar financa të ardhshme Bjellorusisë”, thotë Timothy Ash, ekspert për shtetet evropiane në zhvillim, në Bankën Standard në Londër.

Edhe vende të tjera në skaje të Rusisë janë duke vuajtur pasojat e rënies së rublës, sepse ato kanë numër të madh të qytetarëve të tyre që punojnë në Rusi. Moldavia, Taxhikistani, Kirgizia dhe Uzbekistani janë përballur tashmë me zvogëlimin e vlerës së remitencave që u vijnë nga jashtë.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG